Të huajt në burgjet greke dhe raporti i Trump në OKB/ Shqiptarët me përqindje të lartë në krye të listës

24/09/2025 09:58

Presidenti amerikan Donald Trump bëri një referencë të veçantë për emigracionin dhe lidhjen e tij me kriminalitetin, gjatë fjalimit në Sesionin e 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në New York.

Presidenti përmendi specifikisht disa vende evropiane, përfshirë vendin fqinj Greqinë.

“Sipas Këshillit të Evropës, deri në vitin 2024, pothuajse 50% e të burgosurve në burgjet gjermane ishin shtetas të huaj ose emigrantë. Në Austri, numri ishte 53%, në Greqi 54% dhe në Zvicër 72%. Kur burgjet tuaja janë të mbushura me të ashtuquajtur azilkërkues që e shpërblejnë mirësinë me krim, është koha t’i japim fund eksperimentit të dështuar të kufijve të hapur. Duhet ta përfundoni tani,” deklaroi Kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Të dhënat e Ministrisë greke të Mbrojtjes së Qytetarëve tregojnë po ashtu se 55% e të burgosurve në burgjet greke janë shtetas të huaj. Kryesisht bëhet fjalë për shtetas shqiptarë, algjerianë, pakistanezë, turq, gjeorgjianë dhe afganë.

Sipas statistikave, Greqia renditet ndër vendet e para në Evropë për nga përqindja e të burgosurve të huaj, duke lënë pas edhe vende si Zvicra, Austria dhe Gjermania. Vende si Qipro, Luksemburgu apo Monako, të cilat kanë përqindje më të larta, kanë gjithsej shumë pak të burgosur, për shembull, Monako ka vetëm 31 të burgosur, prej të cilëve 27–28 janë të huaj.

Top Channel