
Tajfuni Ragasa, stuhia më e fuqishme e këtij viti në botë, ka prekur tokën në Kinën jugore të mërkurën pasdite, duke detyruar autoritetet të evakuojnë gati dy milionë njerëz dhe duke shkaktuar dëme masive në rajon.
Më herët, Ragasa shkaktoi përmbytje katastrofike në Tajvan, ku të paktën 17 persona humbën jetën, ndërsa të tjerë raportohen të zhdukur.
Sipas mediave shtetërore kineze, tajfuni bëri landfall në Ishullin Hailing, qyteti i Yanjiang në provincën Guangdong, rreth orës 17:00 me orën lokale të së mërkurës. Edhe pse ishte ulur nga “super tajfun” në “tajfun i rëndë”, Ragasa mbeti jashtëzakonisht shkatërrues, me erëra që arritën deri në 241 km/h në qarkun Taishan.
Stuhia u shoqërua me erëra të forta dhe reshje të dendura shiu, të cilat pritet të vazhdojnë për disa ditë, ndërsa stuhia lëviz drejt perëndimit në brendësi të territorit. Qytetet e mëdha si Zhuhai, Shenzhen dhe Guangzhou janë në gatishmëri për përmbytje nga deti, ndërsa në zonat malore janë lëshuar alarme të kuqe për rrëshqitje dheu.
Në qytetin Zhuhai, policia patrullonte rrugët me sirena dhe megafonë, duke u kërkuar qytetarëve të qëndrojnë në shtëpi.
Ndërkohë në Tajvan, autoritetet janë ende duke u përballur me pasojat tragjike të tajfunit. Një liqen i formuar nga një rrëshqitje dheu shpërtheu në qarkun Hualien, duke përmbytur qytetin Guangfu dhe duke lënë pas një katastrofë natyrore të paprecedentë.
Kryeministri Cho Jung-Tai ka kërkuar një hetim të menjëhershëm mbi mënyrën si u kryen evakuimet, pasi shumë banorë nuk u njoftuan në kohë.
“Kjo nuk është për të fajësuar, por për të zbuluar të vërtetën,” deklaroi ai.
Sipas vlerësimeve të gjeologëve, nga shpërthimi i liqenit janë liruar 15.4 milionë tonë ujë – ekuivalenti i 6,000 pishinave olimpike – duke shkaktuar rrënime të shumta, përfshirë shembjen e urave, fundosjen e automjeteve dhe përmbytjen e dhjetëra banesave. Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë të kontrollojnë derë më derë në zonat më të prekura.
“Jam ende në shok… çdo gjë që njihnim është zhdukur,” tha një banore nga komuniteti indigjen Amis për BBC, pasi ajo dhe burri i saj u detyruan të kalonin natën në një qendër evakuimi.
Edhe pse Ragasa nuk preku drejtpërdrejt Hong Kongun, 90 persona u lënduan si pasojë e erërave dhe reshjeve të forta që goditën qytetin. Autoritetet lëshuan alarmin më të lartë të stuhisë (niveli 10), ndërsa shkollat dhe fluturimet u pezulluan përkohësisht.
Në Filipine, stuhia kaloi më herët këtë javë nëpër ishujt veriorë, duke lënë të paktën 8 viktima, qytete të përmbytura dhe mijëra të zhvendosur.
Me erëra që arritën deri në 260 km/h në kulmin e tij të hënën, Ragasa është tajfuni më i fuqishëm i regjistruar këtë vit në botë. Administrata Meteorologjike e Kinës e ka cilësuar si “Mbreti i Stuhive”, duke paralajmëruar se mund të jetë më shkatërrues se çdo tajfun tjetër që ka goditur Guangdongin këtë vit.
Top Channel