Pronat, ngadalësohet rritja e çmimeve / Banka e Shqipërisë: Në 6 muaj u rritën me 42%, bie lehtësisht interesi nga të huajt

24/09/2025 15:38

Rritja e çmimeve të banesave në 6-mujorin e parë të vitit është ngadalësuar lehtësisht. Të dhënat e raportit të stabilitetit financiar të Bankës së Shqipërisë tregojnë një rritje me 41.7% të çmimeve të banesave, nga 44.5% në 6-mujorin e fundit.

Sipas drejtorit të departamentit, Klodion Shehu, kjo rritje paraqitet e qëndrueshme, ndërsa një ndikim kanë dhënë edhe tavanet e vendosura në blerjen e shtëpive me kredi.

“Ka zhvillime që ndiqen me kujdes ku jemi rritje të shpejtë të çmimeve. Për këtë arsye Banka e Shqipërisë mori disa masa në maj me vendosjen e limiteve në raportet e standardeve të kredidhënies që do ti monitorojmë”, thotë Shehu.

Një rritje e tillë me 42% qëndron përsëri e lartë. Nëse një pronë do të kushtonte 100 mijë euro në janar 2025, me një rritje 42% vlera e saj në qershor arriti në 142 mijë euro. Por karakteristikë e kësaj periudhe është edhe rënia e interesit të të huajve, ku sipas bankave blerjet nga kjo kategori zunë 15% të totalit.

Një ngadalësim është vërejtur edhe në rritjen ekonomike të vendit, teksa sipas Bankës së Shqipërisë ky tregues arriti në 3.4% nga 3.8% në tremujorin e parë.

Pasiguritë për zhvillimet ndërkombëtare mbeten të pranishme dhe lidhen me ndikimin që do kenë tarifat e vendosura në SHBA dhe në ndikimin që do kenë në ekonominë e vendit tonë. Gjatë tremujorit kemi patur rritje të qëndrueshme, politikat fiskale konsoliduese, presionet inflacioniste të përmbajtura”, shton Shehu.

Raporti i stabilitetit financiar vlerëson se rreziqet ndaj ekonomisë mbeten prezente, por nën kontroll.

Top Channel