
Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit ka çelur edicionin e tretë të për “Poetin Laureat”, një titull i krijuar për të vlerësuar poezinë shqipe bashkëkohore dhe për të nderuar poetët e gjallë të letrave shqipe.
Juria e përbërë nga Aleksandër Çipa, Ymer Çiraku, Majlinda Rama dhe Koloreto Cukali do të përzgjedhë 10 kandidatë për të shpallur fituesit në muajin e librit, në tetor.
Ndryshe nga dy edicionet e kaluara, ku fitues janë zgjedhur poetët Rudolf Marku dhe Luljeta Lleshanaku, këtë vit është kriter që laureati ta ushtrojë veprimtarinë artistike në vendin tonë, me qëllim komunikimin e drejtpërdrejtë me lexuesin.
“Ne kemi dashur të krijojmë një traditë, kemi dashur të krijojmë modele. Urojmë që poeti Laureat i ri që do të zgjidhet të jetë një poetë që të përmbushë të gjitha ato cilësi që kërkon koha, që kërkon kultura sot. Të jetë më aktiv dhe më i pranishëm në diskursin publik”, shprehet Alda Bardhyli, drejtoreshë e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit.
Poeti Laureat një mision 2-vjeçar që ka në fokus promovimin e poezisë shqipe dhe krijimin e një dialogu kulturor, veçanërisht te brezi i ri
“Gjithmonë të rinjtë janë të tërhequr nga poezia, të gjithë i nisin shkrimet e para me vargje, me poezi, por ajo që unë do të doja është që ky vrull i hershëm të vijojë dhe të ketë vazhdimësi se pjesa më e madhe e tyre botojnë librin e parë me poezi dhe më pas nuk shkruajnë më. Një nga detyrat e poetit laureat është të japë një tablo të poezisë së sotme bashkëkohore shqipe, të shohë kush shkruan, të ketë komunikim me ta”, shton Bardhyli.
Shprehjet e ndjesive e emocioneve përmes vargjeve janë vlerësuar që mesjetë, kur poetët më të talentuar kurorëzoheshin me dafinë e prej andej ka nisur ky titull nderi që jepet poetëve për kontributin e tyre në poezinë kombëtare.
Top Channel