“Pandoro-gate”/ Procesi gjyqësor ndaj Chiara Ferragni nis në Milano mes akuzave për mashtrim!

24/09/2025 22:54

Skandali i njohur si “Pandoro-gate” ka hyrë zyrtarisht në sallën e gjyqit. Influencuesja e famshme italiane, Chiara Ferragni, akuzohet për mashtrim të rëndë lidhur me fushatat e bamirësisë të lidhura me pandoron festiv “Pink Christmas”, në bashkëpunim me markat Balocco dhe Dolci Preziosi.

Sipas akuzës së Prokurorisë së Milanos, mesazhet promovuese të shpërndara nga Ferragni dhe kompanitë partnere krijuan bindjen se një pjesë e të ardhurave nga shitjet do të dhurohej për bamirësi.

Hetimet, megjithatë, zbuluan se donacionet ishin të kufizuara dhe të paracaktuara, ndërsa fitimet e padrejta kapnin mbi 2 milionë euro.

Procesi nisi me një seancë teknike me dyer të mbyllura. Përveç Ferragni-t, të pandehur janë edhe Fabio Maria Damato, ish-bashkëpunëtor i saj i ngushtë, si dhe Francesco Cannillo, president i Cerealitalia-Id (kompania mëmë e Dolci Preziosi). Çështja ndaj Alessandra Balocco, CEO e Balocco, u pushua pas ndarjes së saj nga jeta.

Prokurorët Cristian Barilli dhe Eugenio Fusco i akuzojnë të pandehurit për përdorim mashtrues të kauzave bamirëse gjatë viteve 2021–2022, përmes fushatave që mashtruan konsumatorët.

Në sallë ishte e pranishme edhe një pensioniste 76-vjeçare nga Avellino, Adriana, e cila vendosi të bëhet palë civile. Ajo kishte blerë pandoro me bindjen se po kontribuonte për bamirësi. Avokatja e saj tha se Adriana kërkon 500 euro dëmshpërblim, të cilat synon t’i dhurojë për kauza humanitare.

Dy shoqata të konsumatorëve, Adicu dhe Casa del Consumatore, iu bashkuan procesit, ndërsa Codacons u tërhoq pasi kishte arritur më herët një marrëveshje financiare me Ferragni-n. Gjykata, nën drejtimin e gjyqtarit Ilio Mannucci Pacini, do të vendosë më 4 nëntor për pranimin e palëve civile.

Ferragni nuk mori pjesë në seancën e parë, por avokatët e saj theksuan se ajo do të jetë e pranishme në seancat e ardhshme “për të mbrojtur pafajësinë e saj”.

Sipas mbrojtjes, nuk ka pasur shkelje penale, pasi çështja është mbyllur në aspektin administrativ me pagesën e 3.4 milionë eurove në gjoba dhe donacione.

Procesi po zhvillohet në një moment të ndërlikuar për biznesin e Ferragni-t. Kompania e saj Fenice ka reduktuar stafin pothuajse tërësisht, një shenjë e krizës që ka shkaktuar skandali: rënie të imazhit publik, humbje në shitje dhe një komunikim më i rezervuar në rrjete sociale.

Seanca tjetër gjyqësore do të mbahet më 14 janar, një datë që pritet të jetë vendimtare për të ardhmen e çështjes.

Top Channel