“Nuk mundemi të shkëmbejmë territore”, Zelensky: Trump më beson më shumë mua sesa Putinit

24/09/2025 07:38

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, u takuan në kuadrin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe më pas udhëheqësi ukrainas dërgoi disa mesazhe.

Në një intervistë me Fox News, presidenti ukrainas hodhi poshtë idenë e dhënies së territorit Rusisë si pjesë e një marrëveshjeje paqeje.

“Nuk mund të shkëmbejmë territore. Nuk është e drejtë, nuk është realiste”, tha ai.

“Po, mendoj kështu, dhe Zoti e bekoftë. Unë vërtet mbështetem në këtë… Nuk ka të bëjë me territoret, ka të bëjë me qëndrimin e Putinit. Ai do të vazhdojë. Edhe nëse i japim më shumë sesa dëshiron vërtet, ai do të vazhdojë”, u përgjigj Zelensky kur u pyet nëse qëndrimi i Trump ndaj Putin ka ndryshuar.

“Ai më beson mua më shumë sesa Putinit”, tha gjithashtu Zelensky, duke vlerësuar rezultatin e takimit të tij me Trump në OKB.

Në një konferencë për shtyp në Nju Jork, e cila u zhvillua menjëherë pas takimit të tij me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, Volodymyr Zelensky tha se nuk mund të zbulonte detaje të bisedimeve, por falënderoi udhëheqësin amerikan dhe vuri në dukje se ai “ka informacione shumë të rëndësishme” në lidhje me situatën në front.

“Jam shumë mirënjohës ndaj Trump. Nuk mund të ndaj detaje tani. Trump ka informacione shumë të rëndësishme në lidhje me situatën në front”, tha ai.

“Putin ndau informacione me Trump që ishin larg të vërtetës. Tani Trump më beson shumë më tepër”, vuri në dukje Zelensky .

Duke iu përgjigjur një pyetjeje në lidhje me qëndrimin e Kinës, Zelensky tha se nuk sheh dëshirë nga pala kineze për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

“Ata nuk janë të interesuar… ne shohim se ata nuk janë të interesuar ta përfundojnë këtë luftë”, tha ai.

Sipas Zelensky-t, çështja e garancive të sigurisë në të ardhmen për Ukrainën pas përfundimit të luftës u diskutua gjatë bisedës së tij me Trump.

“Trump u pajtua me mua se Putini nuk do të presë që lufta në Ukrainë të përfundojë, ai do të përpiqet të gjejë pika të dobëta në Evropë, në vendet e NATO-s”, tha presidenti ukrainas.

Top Channel