
Të tjera detaje dalin në dritë nga ngjarja e rëndë në Beoti të Greqisë, ku një 62-vjeçare akuzohet se ka varrosur nënën e saj në oborr për të përfituar pensionin.
Djali i saj 28-vjeçar ka dhënë dëshminë para autoriteteve, duke deklaruar se nuk e kishte parë gjyshen që nga janari i vitit 2021 dhe nuk kishte dijeni për vdekjen e saj.
“Isha i fundit që e pashë gjyshen në janar 2021. Nuk e di kur vdiq, as nga çfarë”, u shpreh ai, duke theksuar se lajmin për vdekjen e saj e mori në momentin kur policia arrestoi nënën e tij.
Sipas dëshmisë së tij, e ëma e kishte telefonuar më 20 shtator, duke i thënë se policia kishte mbërritur dhe se kishte frikë se do të fajësohej për vdekjen e nënës së saj.
I riu tregon se gjyshja vuante nga probleme me zemrën, ishte mbipeshë, kishte vështirësi në frymëmarrje, probleme me shikimin dhe lëvizjen, ndërsa përdorte ilaçe, shkaqe që mund ta çonin edhe drejt demencës.
Ndërkohë, autoritetet po përpiqen të përcaktojnë rrethanat dhe kohën e vdekjes së 92-vjeçares, ndërsa e bija ndodhet në paraburgim dhe do të përballet me akuzat për fshehje të trupit dhe mashtrim në dëm të shtetit.
Top Channel