Macron do të takohet me presidentin iranian për të diskutuar mbi programin bërthamor të Iranit: Orët e ardhshme janë vendimtare

24/09/2025 07:12

Presidenti francez, Emmanuel Macron njoftoi se do të takohet sot me homologun e tij iranian, Massoud Pezeshkian, për të diskutuar çështjen e mprehtë të programit bërthamor të Teheranit.

“Orët e ardhshme do të jenë vendimtare. Ose Irani bën një gjest të vullnetit të mirë dhe ndjek rrugën e paqes dhe stabilitetit, duke i lejuar Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) të bëjë punën e saj, ose sanksionet do të rivendosen”, paralajmëroi presidenti francez.

Dje, ministrat e jashtëm të Francës, Britanisë dhe Gjermanisë (tre fuqitë evropiane që përbëjnë të ashtuquajturin grup E3), kreu i diplomacisë evropiane dhe homologu i tyre iranian u takuan në Asamblenë 3 Përgjithshme të OKB-së dhe ranë dakord të vazhdojnë bisedimet e tyre mbi programin bërthamor kontrovers të Teheranit, me qëllim që të arrijnë, në minutën e fundit, një marrëveshje për të shmangur rivendosjen e sanksioneve që ishin miratuar nga OKB.

Më 28 gusht, E3 akuzoi Iranin për mosrespektim të marrëveshjes së vitit 2015 për programin e tij bërthamor dhe aktivizoi klauzolën “snapback” që i lejon atij të rivendosë sanksionet brenda 30 ditëve, domethënë më 27 shtator.

Irani mbron të drejtën e tij sovrane për të pasur një program bërthamor për qëllime civile, veçanërisht për prodhimin e energjisë, ndërsa mohon kategorikisht se kërkon të zhvillojë armë bërthamore.

Shefi i IAEA-së, Rafael Grossi, njoftoi se një ekip inspektorësh është duke shkuar në Iran, në rast se arrihet një marrëveshje.

Top Channel