Jimmy Kimmel rikthehet me tone ‘të buta’ në ekran: Nuk kisha për qëllim të bëja humor me vrasjen e një njeriu

24/09/2025 09:46

Moderatori i njohur Jimmy Kimmel është rikthyer në emisionin e tij pas një pezullimi të shkurtër që pasoi komentet e tij për vrasjen e aktivistit konservator Charlie Kirk dhe rikthimi i tij në ekran ishte me tone të forta kundër censurës dhe kërcënimeve ndaj lirisë së fjalës.

Në monologun e tij të parë pas pezullimit, Kimmel tha “Nuk ishte asnjëherë qëllimi im të bëj humor me vrasjen e një të riu. Komentet e mia u keqkuptuan dhe u përdorën për qëllime politike.”

Kritika për FCC dhe Trump

Gjatë emisionit të së martës, Kimmel kritikoi ashpër Brendan Carr, kreun e Komisionit Federal të Komunikimeve (FCC), një emërim i presidentit Donald Trump, i cili kishte kërcënuar publikisht Disney dhe ABC për transmetimin e emisionit.

Carr dikur mbronte lirinë e fjalës, por sapo nuk i pëlqeu një shaka, u kthye në një censurues,” tha Kimmel, duke e krahasuar atë me një “boss të mafies”.

Moderatori shigjetoi edhe vetë Trump-in, për deklaratat e tij publike kundër humoristëve të late night që shpesh e kritikojnë “Presidenti ynë gëzohet kur njerëzit humbasin punën sepse ai nuk duron dot një shaka. Kjo është jo-amerikane. Madje e rrezikshme.”

Stacionet lokale refuzojnë rikthimin e Kimmel

Edhe pse Disney vendosi rikthimin e emisionit në Hulu + Live TV, dhjetëra stacione lokale të kontrolluara nga gjigandët mediatikë Nexstar dhe Sinclair refuzuan transmetimin e “Jimmy Kimmel Live!”, duke zgjedhur programe të tjera në vend të tij.

FCC, përmes Carr, përshëndeti vendimin e tyre, duke thënë se “stacionet lokale duhet të fuqizohen për të shërbyer komunitetin e tyre”.

Nexstar, që aktualisht është në proces për të blerë kompaninë rivale Tegna për 6.2 miliardë dollarë, një marrëveshje që kërkon miratimin e FCC, tha se nuk do të transmetojë Kimmel pa garanci për “dialog konstruktiv dhe të respektueshëm”.

Në episodin e kthimit, Kimmel kishte si të ftuar aktorin Glen Powell dhe këngëtaren Sarah McLachlan. Por momenti më i spikatur ishte skeci me aktorin Robert De Niro, një kritik i hapur i Trump, i cili luajti rolin e Carr dhe tha me ironi “Liria e fjalës? Ajo nuk është më falas.”

Në fund, Kimmel bëri shaka edhe me thashethemet se Disney e kishte detyruar të lexonte një deklaratë të përgatitur. Ai hapi një letër dhe lexoi me sarkazëm “Si të rindezësh abonimin tënd në Disney+”.

Trump kundër rikthimit

Përpara transmetimit, Trump reagoi në platformën e tij sociale, duke thënë se ishte informuar që ABC kishte anuluar përfundimisht emisionin.

 

Nuk mund të besoj që e kthyen. Audienca e tij ka ikur dhe ‘talenti’ i tij nuk ka ekzistuar kurrë,” shkroi Trump, duke shtuar se do të “testojë ABC për këtë”.

Pezullimi që ndezi debat kombëtar mbi lirinë e fjalës

Pezullimi i Kimmel erdhi pas një monologu më 15 shtator, ku ai akuzoi Trump-in dhe të djathtën politike se po përpiqeshin të përdornin vrasjen e Charlie Kirk për përfitime politike.

Ai tha se reagimi i Trump ndaj vrasjes ishte “si kur një katërvjeçar qan për një peshk të ngordhur”.

Këto komente u dënuan nga Carr dhe shumë stacione lokale, duke sjellë pezullimin e menjëhershëm të emisionit.

Reagimi publik ishte i menjëhershëm – me politikanë, sindikata dhe emra të mëdhenj të showbiz-it që dolën në mbrojtje të Kimmel, përfshirë Stephen Colbert, Jon Stewart dhe Seth Meyers.

Top Channel