Imazhe tronditëse nga kalimi shkatërrues i tajfunit Ragasa në Hong Kong

24/09/2025 17:01

Tajfuni Ragas, një nga më të fuqishmit në vitet e fundit, shkaktoi shkatërrime të gjera pasi goditi Hong Kongun, Tajvanin, Filipinet dhe paralizoi jetën në bregdetin jugor të Kinës, duke shkaktuar dëme të mëdha në rrugë, hotele dhe infrastrukturë.

Në Tajvan, 14 persona humbën jetën në një qytet të përmbytur, ndërsa 10 persona humbën jetën, në Filipine. Erërat e forta të Ragas zgjuan banorët e Hong Kongut në orët e para të mëngjesit, sipas Associated Press, dhe shumë njerëz përdorën internetin për të përshkruar përmbytjet dhe dëmet.

Erërat e forta shkulën pjesë të çatisë së një ure për këmbësorë dhe rrëzuan qindra pemë në të gjithë qytetin. Një varkë u përplas në breg, duke thyer një sërë kangjellash prej xhami përgjatë bregut të detit.

Zonat përreth disa lumenjve dhe rrugëve bregdetare u përmbytën, duke përfshirë shtigjet e biçikletave dhe fushat e lojërave. Në shumë restorante buzë ujit, mobiljet u shpërndanë në mënyrë kaotike nga erërat.

Videot tronditëse nga Hong Kongu kapën momentin kur një valë e madhe vërshoi drejt një hoteli, duke thyer dyert e tij prej xhami.

Incidenti ndodhi ndërsa supertajfuni Ragasa përshkoi Hong Kongun, Kinën kontinentale dhe Tajvanin. Skenat u zhvilluan në hotelin Fullerton Ocean Park në Aberdeen, ku mysafirët dëgjoheshin duke bërtitur dhe duke u kapur pas mobiljeve ndërsa uji i rrëmbyeshëm shkatërronte plotësisht ambientet e brendshme.

Tajfuni, i quajtur “Mbreti i Stuhive”, është cikloni tropikal më i fortë i vitit 2025 dhe pritet të godasë bregdetin kinez më vonë sot. Në Tajvan, numri i të vdekurve është rritur në 15 dhe 124 persona rezultojnë të zhdukur pasi një digë në qarkun lindor të Hualien shpërtheu, duke shkaktuar përmbytje të mëdha.

Observatori Meteorologjik i Hong Kongut njoftoi se tajfuni Ragasa pati shpejtësi maksimale të erës rreth 195 km/orë dhe kaloi rreth 100 km në jug.

Në Kinë, gati dy milionë njerëz kanë braktisur shtëpitë e tyre në provincën Guangdong. Shkollat, bizneset dhe transporti janë mbyllur në shumë qytete, ndërsa stuhia pritet të godasë qytetet bregdetare të Yangjiang dhe Zhanjiang sonte.

Tërbimi i Ragasës prodhoi valë që arritën në majë të shtyllave të ndriçimit në bregun e Hong Kongut dhe shkaktuan det të trazuar përgjatë bregdetit jugor të Kinës, pasi shkatërroi Tajvanin dhe Filipinet, ku u raportuan 10 vdekje.

Erëra të forta po fryjnë në provincën Guangdong, ndërsa në Hong Kong shumë zona u përmbytën, duke shkaktuar dëme të mëdha. Më shumë se 60 persona kërkuan ndihmë mjekësore në spitalet e qytetit.

Top Channel