Pse po sulmohen aeroportet? Ekspertët: Sistemet kompjuterike që përdorin, komprometohen lehtësisht

23/09/2025 14:17

Prej ditësh, aeroportet kryesore europiane janë prekur nga sulme kibernetike që kanë shkaktuar vonesa e anulime fluturimesh, duke prekur me mijëra pasagjerë.

Një sulm i tillë të premten shkaktoi ndërprerje të mëdha në disa aeroporte evropiane, duke përfshirë Berlinin, Brukselin dhe Heathrow-n e Londrës. Agjencia e sigurisë kibernetike e Bashkimit Evropian, ENISA pohoi se një sulm ransomware i palës së tretë kishte shënjestruar sistemet e regjistrimit dhe të hipjes në avionë të MUSE-s, një platformë softuerike e përdorur gjerësisht, e operuar nga kompania amerikane Collins Aerospace.

Aeroporti i Brukselit anuloi gjysmën e fluturimeve të tij të dielën, ndërsa Berlini dhe Londra përjetuan anulime dhe vonesa, pasojat e të cilave vazhduan të hënën. Eksperti i sigurisë kibernetike, Profesor Alan Woodward, i tha DW se ky mund të mos jetë fundi i historisë. “Njerëzit tolerojnë vonesat, por kërkojnë të mbahen të informuar. Një nga gjërat që i frustron udhëtarët është të ulen në një aeroport pa e ditur se çfarë po ndodh. A do të ndikojë kjo në fluturime pas dy, tre apo katër ditësh?” Collins tha se vonesat në regjistrimin dhe dorëzimin e bagazheve “mund të zbuten përmes operacioneve manuale të regjistrimit”, anulimet e përhapura tregojnë ndikimin e stafit që duhet të shkruajë manualisht etiketat e bagazheve dhe të kryejë kontrolle që zakonisht bëhen në internet. Kjo gjithashtu thekson varësinë e infrastrukturave kryesore globale nga sistemet kompjuterike, të cilat mund të kompromentohen.

Të gjitha aeroportet e prekura mbeten të prekura në shkallë të ndryshme. Deri tani janë publikuar shumë pak informacione zyrtare, veçanërisht në lidhje me ata që synojnë Collins dhe, si rrjedhojë, aeroportet. Eksperti i sigurisë kibernetike Ëoodëard sugjeroi që “të dyshuarit e zakonshëm” – vende si Kina, Irani dhe Koreja e Veriut – mund të orkestrojnë potencialisht një sulm të tillë, ndoshta duke përdorur bandat kriminale si ndërmjetës.

Megjithatë, një vend dallohet nga të tjerët. “Nëse ka një shtet-komb pas gjithë kësaj, ai po luan me zjarrin dhe është shumë agresiv. Dhe ata që në përgjithësi angazhohen në këtë lloj sjelljeje dhe kanë aftësitë janë Rusia.”

Top Channel

BILETA Portokalli - Bileta