
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi të martën se beson që Ukraina, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, mund të rikthejë të gjithë territorin e pushtuar nga Rusia që prej fillimit të agresionit.
Trump, i cili u takua me presidentin ukrainas në selinë e Kombeve të Bashkuara, ka shprehur mendimin se si Kievi, ashtu edhe Moska, do të duhet të bëjnë lëshime territoriale për t’i dhënë fund luftës.
“Me kohë, durim dhe mbështetjen financiare të Evropës dhe në veçanti të NATO-s, rikthimi i kufijve të mëparshëm, nga ku nisi kjo luftë, është një mundësi shumë reale”, shkroi Trump në një postim në platformën e tij, Truth Social.
Në të njëjtin postim, Trump kritikoi mënyrën se si Rusia po e menaxhon luftën, duke thënë se ajo po lufton “pa një qëllim të qartë” në një konflikt që, sipas tij, “një fuqi e vërtetë ushtarake do ta kishte fituar për më pak se një javë”.
“Putini dhe Rusia janë në vështirësi të mëdha ekonomike, dhe kjo është koha që Ukraina të veprojë,” shtoi ai.
Trump theksoi gjithashtu se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të furnizojnë NATO-n me armë, duke shtuar se organizata mund të bëjë çfarë të dëshirojë me to.
Top Channel