
Një pikturë me vaj nga Pablo Picasso, e fshehur për më shumë se 80 vjet, do të dalë në ankand në Paris muajin e ardhshëm.
Piktura me përmasa 81 x 60 centimetra pritet të dalë në ankand më 24 tetor, ndërkohë që çmimi mund të arrijë deri në 9.45 milionë dollarë.
Portreti, “Busti i një gruaje me kapelë me lule”, paraqet fotografen dhe piktoren franceze Dora Maar, një nga të dashurat dhe muzat më të famshme të Picasso-s, të veshur me një kapelë të ndritshme me lule, të përbërë nga vija pastel jeshile, blu dhe të verdha.
Edhe pse piktura karakterizohet nga ngjyra të gjalla, shprehja me të cilën ajo është pikturuar është cilësuar nga ekspertët si shqetësuese.
E realizuar në korrik të vitit 1943, gjatë pushtimit nazist të Parisit, vepra konsiderohet si një “kanavacë me rëndësi të madhe historike dhe artistike, aq më tepër që ka mbetur larg syve të publikut për më shumë se 80 vjet”, sipas ekspertes së artit Agnès Sevestre-Barbé.
“Ishte në maj të vitit 1943 kur Picasso takoi piktoren e re Françoise Gilot, e cila, pas luftës, do të sillte një frymë më të qartë dhe më të ndritshme në krijimtarinë e tij. Por në verën e vitit 1943, Dora mbeti modelja e tij kryesore”, tha ekspertja në një ese të botuar në internet nga shtëpia e ankandeve Lucien Paris, e cila do të shesë edhe pikturën.
Portreti i sapozbuluar i Maar-it u ble në vitin 1944 nga një koleksionist i paidentifikuar dhe, që prej atëherë, ka mbetur në pronësi të familjes së tij. “Me sa dimë, ai nuk është ekspozuar kurrë dhe as nuk është shfaqur në ankand”, shtoi Barbé.
Top Channel