“Na duhen zgjidhje”/ Palestinezët në Bregun Perëndimor kanë frikë se njohja nuk mjafton

23/09/2025 16:55

Në Ramallah, qytetin që shërben si kryeqyteti de facto i Bregut Perëndimor, shumë palestinezë shprehen skeptikë ndaj njohjes ndërkombëtare të shtetësisë së Palestinës.

Ata thonë se, ndonëse e mirëpritur, kjo është e pamjaftueshme pa zgjidhje reale në terren.

“Jam i lumtur që njerëzit e kuptojnë vuajtjen tonë“, thotë Diaa, një qytetar 23 vjeç. “Por çfarë na duhet vërtet janë zgjidhjet.”

Shpresa për një shtet të pavarur palestinez me kryeqytet Jerusalemin Lindor është ende gjallë, por gjithnjë e më e vështirë për t’u realizuar. Këtë javë, vende si Mbretëria e Bashkuar, Franca, Australia dhe të tjera njohën zyrtarisht Palestinën në OKB.

Njohja është pozitive,” thotë Kamal Daowd, një tjetër qytetar. “Por pa presion ndërkombëtar, nuk do të mjaftojë. Nëse nuk marrim të drejtat tona, kjo mbetet vetëm letër.”

Izraeli e ka cilësuar këtë lëvizje si “shpërblim për terrorizmin”. Kryeministri Netanyahu ka deklaruar se “nuk do të ketë shtet palestinez”, ndërsa anëtarët ultranacionalistë të qeverisë kërkojnë aneksimin e plotë të Bregut Perëndimor.

Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, e quajti idenë e një shteti palestinez “të marrë” dhe njoftoi se “faktet në terren”, vendbanimet dhe ndërtimet, janë përgjigja e vërtetë ndaj njohjeve.

Që nga viti 1967, Izraeli ka ndërtuar 160 vendbanime në Bregun Perëndimor, me rreth 700 mijë kolonë hebrenj, pranë 3.3 milionë palestinezëve, por vendbanimet janë të paligjshme sipas ligjit ndërkombëtar.

Pas sulmit të Hamasit në vitin 2023, Izraeli ka shtuar kontrollin në Bregun Perëndimor: operacione ushtarake, pika kontrolli të reja dhe mbyllje rrugësh. Ndërkohë, Autoriteti Palestinez vazhdon të përballet me krizë ekonomike për shkak të mbajtjes së fondeve nga Izraeli, duke çuar në ulje pagash dhe punë të pjesshme për nëpunësit.

Kolonët hebrenj kanë shtuar sulmet ndaj palestinezëve, ndërsa qeveria po shtyn përpara projekte ndërtimi si E1, që kërcënon ta ndajë Bregun Perëndimor më dysh dhe të shkatërrojë mundësinë për një shtet të qëndrueshëm.

Planet e kaluara për zgjidhje me dy shtete, si ai i vitit 2008, nuk u zbatuan. Ndërsa sot, me shpërndarjen e vendbanimeve dhe fragmentimin e territorit, palestinezët dyshojnë në realizimin e kësaj ëndrre.

Në Gaza, situata është katastrofike: mbi 65 mijë të vrarë, 92% e banesave të dëmtuara dhe mbi 2 milionë banorë të zhvendosur. Rindërtimi pritet të kushtojë mbi 45 miliardë paund dhe të zgjasë më shumë se një dekadë.

“Njerëzit janë të lodhur dhe po humbasin shpresën se njohja do të sjellë ndryshim,” thotë Sabri Saidam, zyrtar i Fatahut. Megjithatë, ai ende beson në një shtet palestinez: “Nëse nuk do ta besoja, nuk do të përpiqeshim kaq shumë.”

Ndërkohë, SHBA-ja ndaloi mbi 80 zyrtarë palestinezë të merrnin pjesë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke e cilësuar kërkesën për njohje si “njohje të njëanshme”.

Për qytetarët si Diaa, realiteti mbetet i ashpër: “Njerëzit mendojnë se ëndrra jonë kombëtare është pothuajse e pamundur.”

Top Channel