“Lufta” e vendeve për pjesëmarrjen e Izraelit, financimi i Eurovision- it pezull

23/09/2025 22:41

Festivali i Këngës në Eurovision- in e këtij viti, po përballet me krizën më serioze në historinë e tij. Disa transmetues shtetërorë, përfshirë anëtarët e “Pesë të Mëdhenjve”, po kërcënojnë të tërhiqen nëse Izraeli mbetet në konkurs.

Kërcënimet për bojkot vijnë në përgjigje të operacionit ushtarak të Izraelit në Gaza, i cili filloi pas sulmit të Hamasit më 7 tetor 2023.

Organizatori, EBU (Bashkimi Evropian i Transmetimeve), u ka dhënë vendeve afat deri në mesin e dhjetorit për të vendosur nëse do të marrin pjesë në konkursin e vitit 2026, i cili do të mbahet në Vjenë.

Bordi i transmetuesit spanjoll RTVE ka votuar tashmë në favor të një bojkoti nëse Izraeli nuk përjashtohet. Holanda, Irlanda, Islanda dhe Sllovenia kanë lëshuar paralajmërime të ngjashme, ndërsa Franca, Belgjika , Suedia dhe Finlanda thuhet se po shqyrtojnë gjithashtu largimin.

Situata, sipas ekspertit të Eurovisionit, Paul Jordan, është e pashembullt, pasi “nuk ka pasur kurrë më parë një kërcënim të tillë për një bojkot masiv”. Ai thekson se tërheqja e mundshme e vendeve të mëdha, si Spanja dhe Franca, “mund të çmontojë modelin e financimit ” të konkursit, pasi ato janë anëtare të “Pesë të Mëdhave”.

EBU po përballet me një “dhimbje koke” të ngjashme në çështjen e neutralitetit politik, pasi po kritikohet për qëndrimin e saj. Ndërsa përjashtoi Rusinë në vitin 2022 për shkak të pushtimit të Ukrainës, KAN, transmetuesi izraelit, u konsiderua politikisht neutral. Megjithatë, kritikët flasin për “mospërputhje”, veçanërisht pas politizimit intensiv të çështjes, me protesta dhe incidente kundër delegacionit izraelit në konkursin e këtij vitit, shkruan The Sun.

Top Channel