
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, iu drejtua sot Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara për herë të parë që nga viti 2020, duke prezantuar atë që e përshkroi si “vizionin e tij për botën”, përballë liderëve globalë dhe diplomatëve ndërkombëtarë.
Fjalimi nisi me një batutë, kur Trump vuri re se mikrofoni nuk po funksiononte siç duhej. “Nuk më shqetëson, sepse në këtë mënyrë flet më shumë nga zemra”, tha ai, duke shtuar me ironi: “Kushdo që po e përdor këtë mikrofon është në telashe të mëdha”.
Në një sallë të mbushur plot, Trump e nisi adresimin e tij me kritika ndaj administratës së mëparshme amerikane, të cilën e akuzoi për një “seri të përsëritur dështimesh” në arenën kombëtare dhe ndërkombëtare.
Tetë muaj pas fillimit të mandatit të tij të dytë presidencial, Trump deklaroi se “Shtetet e Bashkuara janë vendi më i nxehtë në botë, një shprehje që ai e përdor shpesh për të përshkruar rritjen ekonomike dhe ndikimin global të Amerikës.
“Kjo është vërtet epoka e artë e Amerikës”, shtoi ai.
Gjatë fjalimit, Trump u përqendrua në arritjet e administratës së tij, duke përmendur rritjen e tregjeve të aksioneve, investimet e reja në SHBA, uljen e taksave dhe rregulloreve, si dhe forcimin e sigurisë kufitare.
Top Channel