Izraeli sfidon njohjet për Palestinën/ Avancon me ofensivën në Gaza, Trump i drejtohet Asamblesë së OKB-së!

23/09/2025 12:05

Monako dhe Belgjika i janë bashkuar Francës në njohjen zyrtare të shtetit palestinez, një hap ky të cilin Britania e Madhe, Australia, Portugalia dhe Kanadaja e kishin hedhur më parë.

Por pavarësisht pritshmërive që kjo listë e njohjeve të shtohet akoma edhe më shumë, Izraeli shfaqet sfidues. Banorë të enklavës thonë se zjarri i artilerisë së shtetit hebre është intensifikuar, sulmet e dronëve ushtarakë po ashtu ndërsa tanket kanë avancuar akoma edhe më shumë në qytetin e Gazës.

Izraeli, sipas BBC-së, është duke përdorur autoblinda të mbushura me eksplozivë dhe që kontrollohen nga distanca për të hedhur në erë blloqe banesash në Gaza. Ushtria izraelite ka vendosur tashmë tre divizione të blinduara dhe këmbësorie në Qytetin e Gazës – të cilin e sheh si bastionin e fundit të Hamasit. Bombardimet kanë vazhduar në një kohë kur Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, përgatitet të mbajë një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork ku liderët botërorë janë mbledhur për takimin e përvitshëm të organizatës. Shefi i Shtëpisë së Bardhë nuk mori pjesë në konferencën e zhvilluar përpara takimit të Asamblesë që në focus kishte zgjidhjen me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez. Franca, që rganizoi konferencën së bashku me Arabinë Saudite, e shpalli një ditë më parë njohjen zyrtare nga ana e saj të një shtet palestinez pas njoftimeve të ngjashme nga Mbretëria e Bashkuar, Kanadaja dhe Australia të dielën. SHBA-ja ndërkohë, e kritikoi një lëvizje të tillë si të padobishme kur flitet për fundin e konfliktit.

Vetë kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu u zotua se nuk do të ketë kurrë një shtet palestinez”.  Duket se as thirrjet e kreut të Autoritetet Palestinez, Mahmoud Abbas drejtuar Hamasit që të dorëzojë armët, dhe zotimet e tij se ky grup militant nuk do të ketë rol në krijimin e shtetit nuk kanë mjaftuar për të bindur as Izraelin, e as SHBA-në.

Top Channel