Hungaria refuzon kërkesën e Trump për vendet e NATO-s, do të vijojë të blejë naftë nga Rusia: Është çështje fizike, jo politike

23/09/2025 13:53

Ministri i Jashtëm i Hungarisë, Péter Szijjártó, ka deklaruar se vendi i tij nuk do të shkëputet nga furnizimet me energji nga Rusia, pavarësisht presionit të vazhdueshëm nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e NATO-s për të ndalur importet e naftës ruse.

Në një intervistë për The Guardian, gjatë sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, Szijjártó tha se “furnizimi i sigurt me energji nuk mund të garantohet pa naftë dhe gaz rus”, duke e cilësuar këtë si një çështje të pastër “fizike”.

“Është mirë të ëndërrosh për burime alternative, por ne mund të blejmë vetëm aty ku kemi infrastrukturë. Nëse shikoni realitetin fizik, është e qartë që pa furnizimet ruse, është e pamundur të garantojmë sigurinë energjetike të vendit,” tha ai.

Deklaratat e ministrit vijnë pasi Donald Trump, President i SHBA-së, kërkoi që të gjitha vendet anëtare të NATO-s të ndalojnë blerjen e naftës nga Rusia, duke e vendosur këtë si kusht për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Moskës.

“Jam gati të vendos sanksione të rënda ndaj Rusisë kur të gjitha vendet e NATO-s të ndalojnë blerjen e naftës ruse,” shkroi Trump në platformën e tij Truth Social.

Aktualisht, Hungaria dhe Sllovakia janë ndër vendet e vetme në Evropë që vazhdojnë të importojnë naftë ruse përmes naftësjellësit “Druzhba”, me kompaninë shtetërore MOL që importon rreth 5 milionë tonë në vit. Këto dy vende kanë qenë më rezistentet ndaj kërkesave të Brukselit për të ndërprerë marrëdhëniet energjetike me Rusinë.

Kryeministri hungarez Viktor Orbán, një nga aleatët më të afërt ideologjikë të Trump në Evropë, ka mbajtur një qëndrim të dyfishtë: kritik ndaj Ukrainës dhe mbështetës ndaj Moskës, duke u distancuar gjithashtu nga linja zyrtare e Bashkimit Evropian.

Sipas raportimeve nga Bloomberg, BE-ja po shqyrton mundësinë e vendosjes së kufizimeve tregtare që mund të reduktojnë apo ndalojnë dërgesat e naftës nëpërmjet “Druzhba”, edhe pa konsensus unanim, çka mund të anashkalojë veton e Hungarisë dhe Sllovakisë.

Senatori amerikan Lindsey Graham, një nga përkrahësit më të zëshëm të Ukrainës në orbitën e Trump, shkroi: “Kur flitet për blerjen e naftës ruse, janë vetëm Hungaria dhe Sllovakia që vazhdojnë. Shpresoj të veprojnë për t’i dhënë fund kësaj gjakderdhjeje. Nëse jo, duhet të ketë pasoja.”

Presidenti i Finlandës, Alexander Stubb, një nga liderët evropianë që komunikon më shpesh me Trump, deklaroi se ka “dy pista” në kërkesën e Trump – ndalimi i naftës ruse dhe vendosja e tarifave ndaj Kinës.

“Sa i përket ndalimit të naftës dhe gazit rus, Trump ka të drejtë. Duhet të ushtrojmë presion ndaj Hungarisë dhe Sllovakisë që ende nuk e kanë bërë,” tha Stubb, duke shtuar se vendimet për presionin janë në dorën e Komisionit Evropian.

Nga ana tjetër, ministri i Jashtëm polak Radosław Sikorski, nga Kievi, deklaroi: “Shpresoj që kryeministri Orbán ta dëgjojë apelin e Presidentit Trump për të ndaluar blerjen e naftës ruse. Hungaria mund të furnizohet nga jugu.”

Duke komentuar presionin e vendeve perëndimore të BE-së, Szijjártó i quajti “fanatikë” dhe akuzoi liderët evropianë se nuk janë të aftë për një debat racional dhe faktik.

Ai shtoi se, ndryshe nga tensionet me Brukselin, marrëdhëniet me Uashingtonin janë përmirësuar ndjeshëm.

“Tani kemi një mik në SHBA. Ka shumë rëndësi kur Presidenti amerikan është në anën tënde, në vend që të të ushtrojë presion,” deklaroi ai, duke e cilësuar Hungarinë si “qeverinë e vetme evropiane që lutet për fitoren e Trump”.

Top Channel