“Gjenocid në Gaza”, pas deklaratës së kryeministrit Sánchez, Spanja ndalon eksportin e teknologjive ushtarake drejt Izraelit

23/09/2025 18:31

Qeveria e Spanjës ka miratuar një ndalim të plotë të eksportit të armëve dhe teknologjive ushtarake me përdorim të dyfishtë drejt Izraelit, si pjesë e një pakete masash për të kundërshtuar atë që kryeministri Pedro Sánchez e ka cilësuar si “gjenocid në Gaza”.

Në një konferencë për shtyp, ministri i Ekonomisë, Carlos Cuerpo, njoftoi se dekreti ndalon eksportin e çdo materiali ushtarak, si dhe të produkteve dhe teknologjive që mund të përdoren për qëllime ushtarake. Po ashtu, Spanja ndalon edhe importin e këtyre pajisjeve në territorin spanjoll.

Përveç kësaj, dekreti ndalon kërkesat për tranzit të karburantit për avionë me përdorim ushtarak, si dhe importin dhe reklamimin e produkteve që vijnë nga vendbanimet izraelite në territoret palestineze të okupuar.

Ministri Cuerpo e përshkroi këtë masë si “një hap të rëndësishëm dhe pionier në nivel ndërkombëtar për ndalimin e plotë të armëve ndaj Izraelit”.

Qeveria spanjolle thekson se ky vendim forcon në mënyrë juridike ndalimin e shitjes dhe blerjes së pajisjeve ushtarake me Izraelin, një masë që aplikohet që nga fillimi i ofensivës izraelite në Gaza.

Mediat e huaja raportojnë se vendimi hyn menjëherë në fuqi, por për të marrë karakter ligjor, duhet të miratohet edhe nga Parlamenti, ku qeveria e majtë e kryeministrit Sánchez nuk disponon shumicën

Top Channel