
Presidenti Donald Trump mbajti një fjalim të ashpër në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, duke kritikuar hapur OKB-në dhe aleatët e SHBA-së.
Në fjalimin e tij, Trump e quajti ndryshimin e klimës një “mashtrim të madh” dhe kritikoi ashpër politikat e emigracionit dhe energjisë së gjelbër të vendeve perëndimore, duke paralajmëruar se këto politika po çojnë shtetet evropiane drejt “shkatërrimit”.
Ai pati një ton kritik ndaj institucioneve globale dhe politikanëve perëndimorë, duke paralajmëruar për pasiguri dhe krizë në Evropë duke deklaruar gjithashtu se Kombet e Bashkuara po veprojnë me “fjalë bosh” dhe nuk po arrijnë të zgjidhin konfliktet që mbajnë botën në tension.
Në lidhje me situatën në Lindjen e Mesme, Trump kritikoi politikat aktuale lidhur me Palestinën, duke theksuar nevojën për një zgjidhje të drejtë dhe paqësore. Ai tha se “zgjidhja e konfliktit duhet të jetë e ndërtuar mbi respektin për të drejtat e të gjitha palëve dhe përkushtimin ndaj stabilitetit rajonal,” duke nënvizuar se paqja është e mundur vetëm përmes dialogut dhe bashkëpunimit.
Një moment i sikletshëm në fjalimin e tij ishte kur monitori që po shfaqte fjalimin ndaloi së funksionuari, dhe Trump u detyrua të lexonte nga shënimet e shkruara, duke e kaluar situatën me humor.
“Nuk më shqetëson të flas edhe pa të, pasi ai nuk po funksionon,” tha presidenti, duke kujtuar edhe një përpjekje të mëparshme për të rinovuar selinë e OKB-së me një projekt më të mirë dhe me kosto më të ulët.
Pjesë e rëndësishme e fjalimit ishte mbështetja e tij për Ukrainën, ku Trump shprehu besimin se, me kohë, durim dhe mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, Ukraina mund të rikthejë territorin e humbur nga pushtimi rus.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, kritikoi luftën e Rusisë, duke thënë se ajo po lufton “pa qëllim” dhe se një “fuqi e vërtetë ushtarake” do ta kishte fituar këtë konflikt shumë shpejt. Gjithashtu, shtoi se Rusia dhe Putini po përballen me probleme të mëdha ekonomike, duke e cilësuar këtë moment si një mundësi për Ukrainën që të veprojë.
Në fjalën e tij, presidenti përsëriti se SHBA-ja do të vazhdojë të furnizojë NATO-n me armë, duke i dhënë kësaj aleance lirinë për t’i përdorur sipas nevojës.
Ndërsa, në fjalën e saj, Zonja e Parë, Melania Trump, njoftoi formimin e iniciativës së saj të re globale për arsimin, të quajtur “Nxitja e së Ardhmes Së Bashku”, ku e përshkroi këtë program si një koalicion global të vendeve të përkushtuara për mirëqenien e fëmijëve, duke promovuar arsimin, inovacionin dhe teknologjinë.
“Meqenëse teknologjia po evoluon me një ritëm që tejkalon ligjvënien, ne duhet të gjejmë zgjidhje të thjeshta për të mbrojtur zgjuarsinë e fëmijëve tanë,” tha ajo.
Top Channel