“Fëmijët” çelin sezonin në teatër/ Në “Metropol” sezoni nis me dramën bashkëkohore, vihet në skenë nga regjisori francez Eric Vigner

23/09/2025 20:21

Teatri Metropol çel sezonin e ri artistik me “Fëmijët”, një dramë të fuqishme bashkëkohore, që do të vihet në skenë nga regjisori francez, Eric Vigner.

“Është hera e parë që punoj në Teatrin Metropol, është një teatër shumë i veçantë që ka një afërsi të madhe me spektatorin dhe i përkon shumë mirë teatrit që unë bëj në Francë. Kështu mund të përcjellësh më mirë mesazhet dhe emocionet”, tha regjisor Eric Vigner.

Një çift inxhinierësh në pension jeton diku në breg të detit pranë një centrali bërthamor të sapoprekur prej një cunami. Një kolege i viziton një mbrëmje vere dhe i bën një propozim të pazakontë…

A kemi ne përgjegjësi për trashëgiminë që lëmë pas? Çfarë shkaktojnë zgjedhjet tona?

“Është një pjesë që vë në pyetje realitetin tonë bashkëkohor, dhe është e rrallë që të rriturit marrin përgjegjësitë e tyre. Është një vepër e rëndësishme për spektatorët sot, sidomos për rininë”.

Mesazhi i veprës është pa kufi dhe padyshim është pa nacionalitet.

Struktura dramaturgjike e veprës është shumë ndryshe, por janë personazhe që jetojnë të djeshmen, të sotmen dhe të nesërmen. Ka të bëjë shumë dhe me anën shpirtërore, me atë që njeriu duhet të heqë nga vetja për t’i dhënë jetë dikujt tjetër”, u shpreh Vasjan Lami.

Nga data 24-28 shtator, me interpretimet e Luiza Xhuvanit, Yllka Mujos dhe Vasjan Lami, Teatri Metropol fton publikun në një udhëtim emocional përmes kësaj drame universale.

Top Channel