Deklarata e çuditshme e Trump: Mos përdorni paracetamol gjatë shtatzënisë, nuk jam mjek, por…

23/09/2025 10:27

Pesë vjet pas deklaratës skandaloze se gëlltitja e dezinfektantit mund të ketë efekte të dobishme në trajtimin e Covid-19, dje Presidenti i SHBA-së, Donald Trump i habiti përsëri shkencëtarët duke e lidhur autizmin me marrjen e acetaminofenit (paracetamolin) gjatë shtatzënisë, pa asnjë dokumentacion shkencor.

Me shëndetin e miliona njerëzve në rrezik, ai u bëri thirrje grave shtatzëna të mos përdorin paracetamol.

“Sipas një thashethemi dhe nuk e di nëse është i vërtetë në Kubë nuk kanë paracetamol sepse nuk kanë mundësi ta blejnë. Epo, ata pothuajse nuk kanë fare raste autizmi”, tha Trump.

Ai gjithashtu përmendi vëllazërinë Amish (grup njerwzish me origjinw gjermane dhe zvicerane nw Pensilvani)  si një shembull që hedh poshtë inovacionet dhe arritjet teknologjike. “Merrni për shembull Amishët. Ata pothuajse nuk kanë autizëm”, vazhdoi presidenti i SHBA-së.

Donald Trump pati vështirësi të shqiptonte fjalën “acetaminofen”, përbërësin aktiv në Tylenol që ai i këshilloi gratë shtatzëna ta shmangnin. “Mos e merrni”, këmbënguli ai disa herë, duke i nxitur gratë të shtrëngojnë dhëmbët dhe të jenë të duruara, pa përmendur alternativa për lehtësimin e dhimbjes ose etheve gjatë shtatzënisë.

Duke iu drejtuar Sekretarit të Shëndetësisë Robert Kennedy Jr., një figurë e njohur kundër vaksinimit, ai shtoi: “Bobby dëshiron të jetë shumë i kujdesshëm për atë që thotë. Unë nuk jam aq i kujdesshëm.”

Në disa raste, Donald Trump ka pranuar se teoritë e tij personale nuk janë gjë tjetër veçse… teori. Duke shpjeguar se thotë atë që ndjen, ai përsëriti edhe një herë shqetësimin e tij në lidhje me vaksinën kundër fruthit, shytave dhe rubeolës (MMR) dhe mbështeti ndryshimin e orarit të vaksinimit të fëmijërisë.

“Unë nuk jam mjek, por po jap mendimin tim”, theksoi presidenti amerikan.

Top Channel