
Nga Federico Fubini – Corriere della Sera
Sulmi hibrid i kryer mbrëmë ndaj Danimarkës, i cili çoi në pezullimin e dhjetëra fluturimeve pas shfaqjes së disa dronëve pranë aeroportit të kryeqytetit, shënon një eskalim të qartë në përshkallëzimin e tensioneve mes Rusisë dhe vendeve europiane.
Edhe pse Moska, nëpërmjet zëdhënësit të saj Dmitry Peskov, mohoi çdo përfshirje, të gjitha gjurmët – sipas presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky – çojnë drejt Kremlinit.
Kjo nuk është hera e parë që Rusia mohon diçka që më vonë rezulton të jetë e orkestruar prej saj. E njëjta strategji mohim-shmangie u përdor në rastin e shkeljeve të hapësirës ajrore estoneze, apo më herët në aneksimin e Krimesë në 2014. Por ndryshe nga rastet e mëparshme, objektivi këtë herë nuk është një vend i ish-bllokut lindor, por një shtet i konsoliduar nordik, jashtë çdo sfere tradicionale të ndikimit rus.
Një mesazh i koduar për Perëndimin?
Danimarka nuk është zgjedhur rastësisht. Ajo është një nga aleatët më aktivë të Ukrainës në luftën kundër agresionit rus. Në korrik të këtij viti, Kopenhaga nënshkroi një marrëveshje strategjike me qeverinë dhe industrinë ushtarake ukrainase, duke ofruar territorin e saj për prodhimin e dronëve dhe raketave lundruese ukrainase, përfshirë edhe modelin “Flamingo” – një raketë me rreze veprimi deri në 3,000 kilometra, e projektuar për të goditur objektiva brenda territorit rus pa pëlqimin e aleatëve perëndimorë.
Dhe kjo, për Kremlinin, është një vijë e kuqe e kaluar.
Sipas të dhënave nga Instituti i Kielit për Ekonomi Ndërkombëtare, Danimarka renditet e katërta në Europë për ndihmën ushtarake dhënë Ukrainës, me mbi 9.1 miliardë euro, përpara Francës dhe shumë më përpara Italisë – e cila zyrtarisht mban një profil më të ulët.
Ky rol gjithnjë e më aktiv e ka kthyer Danimarkën në një simbol të bashkëpunimit të thelluar perëndimor me Kievin, dhe pikërisht për këtë arsye – sipas analistëve perëndimorë – ka hyrë në radarin e “ndëshkimeve hibride” të Moskës.
Një sulm i koordinuar? Jo vetëm Kopenhaga
Por Kopenhaga nuk është rasti i vetëm. Norvegjia, një tjetër kontribues i madh në ndihmën për Ukrainën, përjetoi gjithashtu ndërhyrje me dronë në hapësirën e saj ajrore, çka çoi në mbylljen e përkohshme të Aeroportit të Oslos. Sulme kibernetike që prekin aeroportet janë regjistruar gjithashtu në Britaninë e Madhe, Belgjikë dhe Gjermani.
Të gjitha këto episode mund të duken të shkëputura, por vija që i lidh është shumë e dukshme për t’u injoruar: çdo vend që ka shtuar ndihmën për Ukrainën, është përballur së fundmi me një formë të presionit hibrid – qoftë në formën e dronëve, sulmeve kibernetike apo ndërhyrjeve në infrastrukturë kritike.
Një strategji frikësimi që synon përçarjen
Rusia po dërgon një mesazh: çdo shtet që e mbështet Ukrainën në mënyrë aktive do të përballet me pasoja. Fillimisht në mënyrë jo-konvencionale, përmes mjeteve hibride që e bëjnë të vështirë një reagim të qartë dhe të koordinuar nga aleatët perëndimorë. Por a do të ndalet këtu?
Historia e përfshirjes së Rusisë në konflikte hibride tregon se taktikat fillestare – si pengesa në hapësirë ajrore apo sulme kibernetike – mund të shërbejnë vetëm si “test i terrenit” për veprime më të guximshme në të ardhmen. Frika që përhapin këto sulme është arma e vërtetë – ajo që kërkon të përçajë Europën dhe të zbehë vendosmërinë e saj për të mbështetur Ukrainën.
Por ndryshe nga vitet e para të aneksimit të Krimesë, këtë herë vendet nordike nuk duken të gatshme të tërhiqen. Në të kundërt, bashkëpunimi ushtarak me Kievin po thellohet. Dhe kjo nënkupton se, nëse Rusia nuk ndalet, edhe përgjigjja perëndimore mund të kalojë në një tjetër fazë.
A po teston Rusia “vijat e kuqe” të NATO-s?
Në fund të ditës, sulmet ndaj Danimarkës dhe Norvegjisë janë më shumë se thjesht provokime. Ato janë testime të vullnetit kolektiv të aleatëve perëndimorë. Pyetja nuk është më nëse Rusia është pas tyre – kjo po bëhet gjithnjë e më e qartë – por sa larg është e gatshme të shkojë Perëndimi për ta ndalur.
Sepse nëse për momentin kemi të bëjmë me dronë dhe ndërprerje fluturimesh, nesër mund të jetë diçka tjetër.
Top Channel