
Kina do të evakuojë 400 mijë njerëz për shkak të një supertajfuni që ka goditur Filipinet dhe Tajvanin ditën e sotme.
Supertajfuni Ragasa, i cili po drejtohet drejt juglindjes së Kinës, ka sjellë erëra me shpejtësi deri në 214 km/orë, duke shkaktuar pezullimin e fluturimeve dhe trageteve.
Mijëra njerëz janë evakuuar tashmë nga shtëpitë dhe shkollat në Filipine dhe Tajvan, ndërsa qindra mijëra të tjerë pritet të largohen nga shtëpitë e tyre në Kinë.
Më shumë se 8,200 vetë u evakuuan në vende të sigurta në Cagayan, ndërsa 1,220 të tjerë u strehuan në qendra emergjente në Apayao, një zonë e prirur ndaj përmbytjeve të menjëhershme dhe rrëshqitjeve të dheut.
Fluturimet vendase u pezulluan në provincat veriore të goditura nga tajfuni dhe anijet e peshkimit si dhe tragetet ndër-ishullore u ndaluan të largoheshin nga portet për shkak të detit të trazuar.
Në qarqet jugore të Tajvanit, u urdhërua mbyllja e disa zonave bregdetare dhe malore, së bashku me ishujt Orchid dhe Green ndërsa aeroporti i Shenzhen-it njoftoi se do të ndalojë fluturimet që nga nata e së martës, ndërkohë që në provincën Fujian, në bregdetin juglindor të Kinës, 50 linja tragetesh janë pezulluar gjithashtu.
Agjencia meteorologjike e Filipineve paralajmëroi se ekziston “një rrezik i lartë i një stuhie kërcënuese për jetën, me dallgë që tejkalojnë 3 metra brenda 24 orëve të ardhshme në zonat bregdetare të ulëta ose të ekspozuara” në disa provinca veriore.
Ndërkohë, presidenti filipinas Ferdinand Marcos pezulloi punën e institucioneve qeveritare dhe urdhëroi mbylljen e të gjitha shkollave.
Top Channel