“Sfidë siguria“/ Përfshirja e Shqipërisë në SEPA, Sejko: Duhet të plotësohet infrastruktura dhe të bëhet edukimi i publikut

22/09/2025 15:17

Përfshirja e Shqipërisë në sistemin SEPA duke filluar nga 7 tetori dhe digjitalizimi i mëtejshëm i pagesave kanë bërë bashkë në një tryezë guvernatorin e Bankës së Shqipërisë së bashku me bankat operative në vendin tonë.

Ky proces pritet të sjellë një sërë sfidash sipas guvernatorit Sejko, ku një ndër to është dhe garantimi i sigurisë dhe mbrojtës së konsumatorit.

“Përshpejtimi i këtij procesi kërkon dhe përmbushjen e disa kushteve: krijimin e infrastrukturave të përshtatshme, aksesin me kosto të arsyeshme tek pagesat digjitale; krijimin e një kuadri rregullator të qartë dhe të rreptë për garantimin e sigurisë dhe mbrojtjes së konsumatorit; rritjen e njohurive financiare të publikut; rritjen e aftësive teknologjike të publikut dhe një ndërgjegjësim për avantazhet dhe rreziqet e përdorimit të pagesave digjitale. Bankat të jenë sa më proaktive në të gjitha këto drejtime”-u shpreh Sejko.

Guvernatori nënvizoi se është bërë një progres i dukshëm si rrjedhojë e masave të marra deri tani nga Banka e Shqipërisë dhe aktorët e tregut, për rritjen e nivelit të përdorimit të pagesave elektronike për frymë. Të cilat kanë arritur në 23 në vitin 2024, nga vetëm 4 pagesa për frymë në vitin 2016.

Kalimi drejt pagesave digjitale, dhe rrjedhimisht ulja e përdorimit të cash-it, është një proces i dëshiruar për ekonominë shqiptare sipas guvernatorit pasi rrit formalizimin e ekonomisë; ul evazionin fiskal; përmirëson sigurinë fizike të pagesave dhe ul koston e mbajtjes së cash-it; nxit përfshirjen financiare, dhe mbështet integrimin evropian.

Top Channel