Protestat masive në Milano, reagon kryeministrja Giorgia Meloni: E turpshme, dhuna nuk ka të bëjë me solidaritetin

22/09/2025 18:44

Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka reaguar ashpër pas përplasjeve të dhunshme që ndodhën përpara Stacionit Qendror në Milano, gjatë një proteste pro-palestineze.

Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale treguan momente tensioni mes protestuesve dhe forcave të rendit, për çka Meloni dha një deklaratë të fortë në rrjetet e saj sociale.

“Imazhet që vijnë nga Milano janë të turpshme: të vetëshpallur ‘pro-palestinezë’, të vetëshpallur ‘antifashistë’, të vetëshpallur ‘pacifistë’ që shkatërrojnë stacionin dhe shkaktojnë përleshje me policinë”, shkruajti Meloni.

Ajo shtoi se veprime të tilla nuk kanë asnjë lidhje me solidaritetin e vërtetë, duke theksuar se “dhuna dhe shkatërrimi nuk do ta ndryshojnë jetën e njerëzve në Gaza aspak, por do të kenë pasoja konkrete për qytetarët italianë, të cilët do të përfundojnë duke vuajtur dhe duke paguar për dëmet e shkaktuara nga këta huliganë”.

Meloni shprehu mbështetje për forcat e rendit: “Mendimet e mia janë me policinë, e detyruar të durojë arrogancën dhe dhunën e panevojshme të këtyre pseudo-protestuesve. Shpresoj për fjalë të qarta dënimi nga organizatorët e grevës dhe nga të gjitha forcat politike.”

Top Channel