Vazhdojnë operacionet kundër kultivimit të kanabisit, 8028 bimë të asgjësuara dhe 5 kryetarë fshatrash të proceduar penalisht

22/09/2025 09:04

Operacioni i koduar “Koordinata” ka vijuar me intensitet në qarkun Shkodër, duke goditur kultivimin e bimëve narkotike.

Operacioni i koduar “Koordinata” ka vijuar me intensitet në qarkun Shkodër, duke goditur kultivimin e bimëve narkotike. Gjatë kontrolleve të zhvilluara në territorin e disa njësive administrative, u gjetën dhe u asgjësuan 8028 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Policia ka proceduar penalisht për shpërdorim detyre pesë kryetarë fshatrash, ndërkohë që vijon puna për identifikimin dhe kapjen e autorëve të tjerë të kultivimit të kanabisit.

Njoftimi i policisë

Gjatë kontrolleve në territor, u gjetën dhe u asgjësuan 8028 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.
Procedohen penalisht, për shpërdorim të detyrave, 5 kryetarë fshatrash.

Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër dhe të komisariateve në varësi vijojnë me intensitet kontrollet në të gjithë territorin e qarkut, në vijim të operacionit policor të koduar “Koordinata”, me qëllim goditjen e rasteve të kultivimit të bimëve narkotike.

Në territorin e njësive administrative Pult dhe Shosh, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër gjetën dhe asgjësuan 7073 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e fshatit Ndrejaj, shtetasin N. V.; për kryetarin e fshatit Lekaj, shtetasin P. S.; për kryetarin e fshatit Nicaj, shtetasin V. V.; për kryetarin e fshatit Plan, shtetasin N. Sh.; dhe për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzim krimi”, për kryetarin e fshatit Kir, shtetasin P. H.

Në territorin e njësisë administrative Kelmend, shërbimet e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe gjetën dhe asgjësuan 780 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Në territorin e njësisë administrative Temal, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vau i Dejës gjetën dhe asgjësuan 175 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa.

Vijon puna për identifikimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë penale të autorëve të kultivimit të bimëve narkotike.

Operacioni antikanabis i koduar “Koordinata” vijon në të gjithë territorin e qarkut Shkodër.

#angazhimpërkushtimsakrificë
#tëvendosurkundërkrimit
#nëçdoskajtëvendit
#nëshërbimtëqytetarëve
#denonconë112

Top Channel