“Pikante” nga Sandër Ruçi/ Mjeshtri i humorit rikthehet në skenën e teatrit “Migjeni”

22/09/2025 15:43

Mjeshtri i madh i humorit, Sandër Ruçi, u rikthye në skenën e teatrit “Migjeni” me premierën e tij të radhës, “Pikante”, duke risjellë aktivitetin artistik në shtëpinë e madhe të artit shkodran e shqiptar.

Mes emocioneve dhe duartrokitjeve të publikut, krah kolegëve të tij dhe artistëve të rinj, ai solli të qeshura, mesazhe që lidhen me aktualitetin e përditshëm dhe thumbime që vetëm arti di t’i sjellë në këto dimensione.

Një variete ku ndërthurej humori me këngën, e ku publiku shijoi çdo pjesë të saj, ndërsa vetë artisti protagonist i kësaj nate nuk i fshehu emocionet për një dashuri, që – siç thotë ai – di ta japë vetëm Shkodra.

Edhe për artistët e tjerë, si pjesëtarë të trupës apo edhe si spektatorë, humori mbetet i pandarë nga Shkodra.

“Pikante” u shfaq në Teatrin “Migjeni” për dy ditë me radhë, ndërsa kjo ishte premiera e 16-të e Sandër Ruçit.

Top Channel