
Hamasi ka përgatitur një letër për Presidentin e SHBA-së Donald Trump, duke i kërkuar atij të garantojë një armëpushim 60-ditor në Gaza në këmbim të lirimit të rreth gjysmës së pengjeve që mban, tha një zyrtar i lartë i administratës amerikane.
Raporti u konfirmua nga një burim që foli për “Times of Israel“, i cili tha se letra është aktualisht në Katar dhe pritet t’i dorëzohet Donald Trump këtë javë.
Megjithatë, sipas rrjetit televiziv izraelit “Channel 12 “, Hamasi ende nuk e ka nënshkruar tekstin, megjithëse vlerësohet se mund ta bëjë këtë në ditët në vijim.
Ndërkohë Katari ka “ngrirë” përpjekjet e ndërmjetësimit për lirimin e 48 pengjeve të mbetura në Gaza, pas përpjekjes së Izraelit për të goditur udhëheqjen e Hamasit në Doha në fillim të shtatorit.
Siç i tha një diplomat arab për “Times of Israel”, që nga sulmi izraelit më 9 shtator, ndërmjetësit arabë nuk kanë bërë ndonjë përparim të rëndësishëm në negociatat për pengjet.
Sipas të njëjtit burim, Katari po kërkon një lloj faljeje nga Izraeli për sulmin në Doha, në mënyrë që të rifillojë rolin e tij në ndërmjetësim ndërkohë që Egjipti aktualisht po shmang marrjen e një roli të pavarur ndërmjetësimi, duke marrë parasysh se roli i Katarit është thelbësor dhe se çdo proces duhet të vazhdojë bashkërisht.
Top Channel