Lufta në Kongon Lindore vazhdon, marrëveshja e Trump nuk ndalon dhunën/ 28 milionë njerëz përballen me krizë humanitare

22/09/2025 19:19

Edhe pse SHBA-ja, përmes administratës së Donald Trump, prezantoi një marrëveshje paqeje të rëndësishme mes Ruanadës dhe Republikës Demokratike të Kongos (RDK) më 27 qershor 2025, situata në lindje të Kongos mbetet jashtë kontrollit dhe dhuna nuk ka ndalur.

M23 dhe rebelët vazhdojnë luftën, marrëveshja ende nuk aplikohet

Grupi rebel M23, i mbështetur fuqishëm nga një koalicion i udhëhequr nga Corneille Nangaa, i cili dikur ishte edhe kreu i Komisionit Zgjedhor të RDK-së, kontrollon qytetet kyçe Goma dhe Bukavu, dhe deklaron se ka për qëllim të rrëzojë presidentin Felix Tshisekedi, të cilin e konsideron “të paligjshëm”.

Megjithëse marrëveshja e firmosur në Washington, e cilësuar nga Trump si një arritje historike, ka për qëllim të shënojë fundin e një prej konflikteve më të gjata dhe shkatërruese në Afrikë, ajo ende nuk ka ndalur valën e dhunës që ka marrë jetën e më shumë se 6 milionë njerëzve gjatë 30 viteve të fundit.

Raporti i OKB-së, Masakra, tortura dhe dhuna seksuale

Zyrtarët e OKB-së dhe organizatat për të drejtat e njeriut kanë denoncuar dhunën e vazhdueshme. Në një raport të fundit të Zyrës së Komisionerit të Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, thuhet se grupi M23 ka kryer një fushatë terrori kundër civilëve në zonat nën kontrollin e tyre, duke përfshirë ekzekutime pa gjyq, tortura, dhunë seksuale dhe zhdukje të detyruara.

Një nga episodet më të rënda të regjistruara është masakra në territorin Rutshuru, ku mijëra njerëz, kryesisht nga komuniteti Hutu, u vranë në mënyrë brutale në prani të forcave të M23 dhe ushtrisë rwandase, vetëm pak javë pas firmosjes së marrëveshjes së paqes.

Banorët në zonat e konfliktit jetojnë në frikë dhe varfëri ekstreme

Edhe pse tregu i qytetit Goma duket të jetë i gjallë, me qindra biznese që operojnë, realiteti është shumë më i rëndë për banorët. Mbyllja e bankave dhe aeroportit ka shkaktuar mungesë likuiditeti dhe ka ndikuar në furnizimet me ndihma humanitare, duke rënduar më tej situatën e mijëra të zhvendosurve dhe familjeve në nevojë.

Organizata si Programi Botëror i Ushqimit (WFP) paralajmërojnë për një katastrofë humanitare nëse nuk rritet ndihma. Më shumë se 28 milionë njerëz në RDK, përfshirë 4.75 milionë fëmijë, përballen me mungesë ushqimi dhe rrezik për jetën.

Rebelët mohojnë akuzat dhe kërkojnë ndryshim sistemik

Lideri rebel Corneille Nangaa i mohon akuzat për krime dhe mbështetje nga Ruanda, duke i quajtur raportet “propagandë” dhe “gënjeshtra” që përdoren për të fituar fonde ndërkombëtare. Ai thekson se lufta e tyre është kundër korrupsionit dhe një sistemi që nuk përfaqëson interesat e popullit, duke kërkuar ndryshime radikale dhe “çlirimin” e vendit.

Kontrolli mbi minerale dhe pasojat politike

Një tjetër faktor kyç i konfliktit janë burimet minerale të pasura të Kongos, ku ndodhen depozita të mëdha të kobaltit dhe coltanit, minerale të domosdoshme për teknologjitë moderne. M23 ka marrë nën kontroll disa prej zonave kryesore minerare, duke rritur shqetësimet për përfitime të paligjshme dhe luftë për kontrollin e tyre.

Ndërsa Trump ka theksuar interesin amerikan për “të drejtën mbi mineralet” si pjesë e marrëveshjes, analistët dhe aktorët lokalë paralajmërojnë se pa zgjidhur problemet e thella politike dhe sociale, paqja nuk do të jetë e qëndrueshme.

Situata humanitare në përkeqësim – SHBA tërheq ndihmat

Shtimi i konflikteve dhe mbyllja e disa organizatave ndërkombëtare, përfshirë edhe të Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), ka lënë mijëra njerëz në një situatë të pashpresë. Ndihmat për viktimat e dhunës seksuale, të cilat janë një plagë e vazhdueshme në rajon, janë reduktuar në mënyrë dramatike.

Organizatat humanitare në terren, përfshirë Mjekët Pa Kufij, raportojnë një numër alarmant të viktimave të dhunës seksuale dhe përkeqësim të kushteve shëndetësore për fëmijët dhe gratë.

Mijëra të zhvendosur dhe një e ardhme e pasigurt

Me më shumë se 7.8 milionë persona të zhvendosur brenda vendit dhe mijëra refugjatë që kalojnë në Ruanadë, situata mbetet jashtë kontrollit dhe me perspektivë të zymtë për të ardhmen.

Ndërsa zyrtarët ndërkombëtarë kërkojnë rifillimin e negociatave dhe zbatimin e marrëveshjeve paqësore, banorët në Kongon Lindore përballen çdo ditë me pasiguri, dhunë dhe varfëri ekstreme.

Top Channel