“Lufta është një botë larg nesh”, qytetarët e Moskës rrëfejnë realitetin përtej frontit: Askush nga ata që njohim nuk po lufton

22/09/2025 18:39

Jo shumë larg Sheshit të Kuq disa adoleshente që qeshin dhe kërcejnë në grup me një këngë pop perëndimore, ndërsa dikush i filmon për rrjetet sociale, ky është realiteti për rusët larg frontit të përgjakshëm të luftës ndaj Ukrainës.

Ndërkohë, në lagjen Patriarch Ponds, restorantet janë plot dhe makina luksoze si Porsche dhe Lamborghini kalojnë nëpër rrugicat e ngushta.

Më shumë se tre vjet pas pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, lufta mbetet larg jetës së përditshme në Moskë, kryeqyteti dhe qyteti më i pasur i vendit. Simbolet pro-luftës “Z” dhe reklamat për rekrutim ushtarak po zhduken gjithnjë e më shumë edhe kur dronët ukrainas kërcënojnë, nuk bie asnjë sirenë alarmi, ndryshe nga qytetet pranë kufirit, ku alarmet janë tashmë të zakonshme.

Në Parkun Zaryadye, pranë Kremlinit, një vepër pro-luftës është zëvendësuar me një strukturë dixhitale, 11 metra të lartë, e quajtur “Matryoshka e Moskës”, që ndriçon si një kukull tradicionale ruse e cila u hap me entuziazëm, përmes himnit kombëtar dhe turmave që brohorisnin.

Kremlini duket se po përpiqet ta mbajë Moskën të izoluar nga realiteti i luftës dhe, në masë të madhe, ia ka dalë. Sipas Qendrës Levada, e vetmja agjenci e pavarur sondazhi në Rusi, thotë se një në dy qytetarë deklarojnë se nuk njohin askënd që po lufton në Ukrainë, nuk kanë përjetuar vështirësi ekonomike dhe nuk ndienjnë stres si pasojë e luftës.

“Për ne personalisht, operacioni ushtarak nuk ka ndikuar fare në jetën e përditshme. Askush që njohim nuk po lufton”, tha një grua e re me fëmijë, duke përdorur terminologjinë zyrtare të Kremlinit.

Megjithatë, për shkak të shtypjes së ashpër ndaj zërave kundër luftës, pak njerëz flasin hapur për ndjenjat e tyre. Lufta, më e madhja në Evropë që nga viti 1945, mbetet një peshë e brendshme për shumëkënd.

“Ndikon te të gjithë, e ndjen përbrenda. Por përditshmëria nuk ka ndryshuar. Ka vetëm më shumë negativitet përreth”, tha një burrë që po pinte kafe.

Që nga shtatori 2022, kur u shpall mobilizimi i përgjithshëm, 242 persona nga Moska kanë humbur jetën në Ukrainë, një nga shifrat më të ulëta në vend, sipas BBC Russia dhe faqes opozitare Mediazona. Në kontrast, Bashkortostani  një qytet me rreth 4 milionë banorëka humbur 884 vetë. Në total, janë verifikuar mbi 130,000 vdekje të ushtarëve rusë, por shifra reale besohet të jetë më e lartë.

Ndërsa kryetari i bashkisë së Moskës, Sergey Sobyanin, pretendon se 90,000 njerëz nga kryeqyteti po luftojnë në Ukrainë, ekspertët thonë se shumica vijnë nga rajone të varfra dhe kanë ardhur përkohësisht në Moskë për të përfituar nga shpërblimet e majme që ofrohen për rekrutët. “Disa nga djemtë e bënë këtë në fillim të vitit. Pagesat ishin vërtet të mëdha”, tha një ushtar në Moskë.

Një ushtar që nënshkruan kontratë në Moskë merr një bonus fillestar prej  20,400 £, plus një pagë mujore prej 260,000 rublash ruse, shumë më e lartë se paga mesatare në rajonet e tjera.

Edhe pse Moska dikur ishte bastion i opozitës, sot shumë banorë nuk janë të gatshëm të ndihmojnë në rekrutim.

Na sollën fletëpalosje nga zyra e lagjes për shërbim me kontratë. I vendosa, por i hoqa sapo u larguan”, tha një menaxhere e një salloni thonjsh. “Nuk jemi zyrë shtetërore.”

Në rrugën Nikolskaya, dikur e mbushur me tifozë gjatë Botërorit 2018, është vetëm një poster rekrutimi, në një zyrë postare.

Sanksionet perëndimore, që pritej të shkatërronin ekonominë ruse, nuk kanë ndikuar ndjeshëm në nivelin e jetesës në Moskë. Sipas FMN-së dhe të dhënave të publikuara nga Chatham House, Rusia ka dyfishuar të ardhurat në valutë të huaj krahasuar me periudhën para pushtimit.

Por pas shkëlqimit sipërfaqësor, ekonomia e kryeqytetit po përjeton ngadalësim. Rritja e nxitur nga industria ushtarake po stagnon. Kompani të mëdha si Sberbank dhe VK kanë bërë shkurtimet e stafit, ndërsa mbi 10% e bizneseve planifikojnë të pushojnë punonjës këtë vjeshtë, sipas një sondazhi nga faqja Rabota.

Një nga të prekurit është Andrei, specialist IT në Sberbank. Pas më shumë se pesë vjetësh, ai u pushua këtë pranverë bashkë me dhjetëra kolegë. “Arsyeja zyrtare ishte zhvendosja e burimeve nga projektet më pak fitimprurëse, te ato më premtuese”, tha ai.

“Mesazhi ishte i qartë, s’ka më buxhet për marketing, PR apo konsulencë”, shtoi Andrei.

Ndërkohë që ministri i Ekonomisë, Maksim Reshetnikov, paralajmëroi se Rusia është “në prag recesioni”, Putin e minimizoi situatën, duke deklaruar se ekonomia po ngadalësohet me qëllim frenimin e inflacionit. “Mendoj se recesioni është ende larg”, u shpreh ai.

Fokusi i Kremlinit te lufta dhe shtypja politike ka lënë pas dore sigurinë e brendshme. Në Moskë, vitin e kaluar, mbi 135 njerëz u vranë në një sulm nga militantët e Shtetit Islamik.

“Lufta në Ukrainë ka zhvendosur burimet dhe vëmendjen nga problemet kritike të sigurisë”, tha Emily Ferris, eksperte për Rusinë pranë Royal United Services Institute.

“Kremlini ka më shumë interes në ndjekjen e kundërshtarëve politikë sesa në hetimin e kërcënimeve terroriste”, shtoi ai.

Edhe pse qindra mijëra kundërshtarë të luftës janë larguar nga vendi, shumë të tjerë kanë qëndruar për të kujdesur për të moshuarit, për shkak të vështirësive financiare apo sepse nuk kanë mundësi të largohen. Disa kanë zgjedhur të qëndrojnë, duke shpresuar në fundin e regjimit të Putinit.

Por ndërkohë që Kremlini po izolon popullin nga ndikimet e jashtme me ligje shtypëse dhe kufizime të mediave sociale, mbështetja për luftën dhe mosbesimi ndaj Perëndimit mbeten të larta, madje edhe në Moskë.

“Vëllai im në Lviv më quan terrorist dhe pushtues”, tha një burrë me origjinë nga Ukraina që jeton në Rusi prej shumë vitesh. “I kanë ngulitur mirë këtë rusofobi në kokë. Gjithçka është orkestruar nga amerikanët”, përfundoi ai.

 

FOTO GALERI
3/7

Top Channel