
DVP Durrës/Vijojnë operacionet për goditjen e veprimtarisë kriminale të prostitucionit.
Finalizohet pas 3 javësh hetime me metoda proaktive, operacioni policor i koduar “Space”.
Vihen në pranga 3 shtetase kineze që kishin marrë me qira një apartament në lagjen nr. 13, Plazh, e kishin përshtatur për të ushtruar prostitucion.
Procedohen penalisht 5 shtetas, për veprën penale “Prostitucioni”.
Si rezultat i hetimeve të kryera nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve, në drejtimin e Prokurorisë, për një periudhë trejavore, për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, u finalizua në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, operacioni policor i koduar “Space”.
Në kuadër të këtij operacion u arrestuan në flagrancë për veprat penale “Prostitucioni” dhe “Përshtatja e ambienteve për prostitucion”, shtetaset kineze:
-M. Y., 41 vjeçe, J. B., 43 vjeçe dhe L. H., 47 vjeçe.
-Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Prostitucioni”, për shtetasit A. Gj., O. Ll., V. N., A. K. dhe A. G.
Nga hetimet e kryera rezultoi se 3 shtetaset kineze kishin marrë me qira një apartament në lagjen nr. 13, Plazh, Durrës, dhe e kishin përshtatur për ushtrimin e prostitucionit.
Gjatë kontrollit në ambientet e apartamentit, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3 pasaportat e shtetaseve kineze, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga prostitucioni, 8 celularë dhe 11 karta të bankave të Republikës së Kinës dhe të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.
Top Channel