
Shtetet e Bashkuara të Amerikës po konsiderojnë që që këtë javë të vendosin sanksione ndaj Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GNP), duke vënë në rrezik funksionimin e përditshëm të saj, në një hakmarrje ndaj hetimeve për krime lufte të dyshuara izraelite, raporton Reuters.
Më parë Washingtoni ka vendosur sanksione ndaj disa prokurorëve dhe gjyqtarëve të GNP-së, përfshirja e vetë gjykatës në listën e sanksioneve do të ishte një eskalim i madh.
Burime diplomatike të njohura me çështjen thanë se një vendim për sanksione ndaj “entitetit” pritet së shpejti. Zyrtarë të GNP-së kanë mbajtur takime emergjente për të diskutuar ndikimin e mundshëm të këtyre sanksioneve, ndërsa diplomatët e vendeve anëtare po përgatiten për reagime.
Një zyrtar amerikan konfirmoi se po shqyrtohen sanksionet ndaj të gjithë gjykatës, duke paralajmëruar masa të tjera për të mbrojtur anëtarët e shërbimit amerikan, për aq kohë sa GNP paraqet kërcënim për interesat kombëtare të SHBA.
Sanksionet ndaj GNP-së mund të prekin operacionet bazë, përfshirë pagesat e stafit, aksesin në llogaritë bankare dhe përdorimin e softuerëve rutinë.
Për të shmangur dëme të mëdha, stafi i gjykatës ka marrë pagat e vitit 2025 paraprakisht, ndërsa po kërkohen alternativa për shërbimet bankare dhe softuerët.
Gjykata ka ngritur akuza ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Yoav Gallant, si dhe kundër figurave të Hamasit për krime gjatë luftës në Gaza.
SHBA dhe Izraeli nuk janë anëtarë të GNP-së dhe kundërshtojnë juridiksionin e saj mbi territorin palestinez, i njohur nga gjykata.
Gjatë Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së këtë javë, disa vende anëtare të GNP-së pritet të kundërshtojnë sanksionet e SHBA-së, por pritet që Washingtoni të intensifikojë presionin ndaj gjykatës.
Top Channel