“Autogolat e një opozite të ndryshkur”, Dash Sula ‘sulmon’ PD: Berisha kërkon rrëmujë që të mos i kujtojnë “Nenin Basha”

22/09/2025 14:41

Ish deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula ka shprehur pakënaqësitë lidhur me pjesëmarrjen e opozitës në konferencën e kryetarëve.

Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Sula shkruan se PD ulet në një tryezë me Niko Peleshin dhe ‘bën sikur do ta shkarkojë’.

Sula pretendon se në mbledhjen e grupit të PD pas seancës së të enjtes, 80% e deputetëve kishin qenë kundër sjelljes së kolegëve të tyre që hidhnin kushtetutën para ambasadorëve.

Reagimi i plotë i Sulës:

Autogolat e një opozite të ndryshkur! Këtë fillim javë në orën 11, Kryetari i Parlamentit, Niko Peleshi paska thirrur ne Konferencë Kryetaresh kryesinë e vogël të PS dhe PD për te diskutuar mbi emrat qe do jenë në komisione.

Pra, Partia Demokratike e cila i hoqi shansin vetes për të“çjerrur maskën e propagandës” qeverisë duke zbërthyer problemet e programit, sot do ulet në një tryezë me Niko Peleshin që bën sikur do ta shkarkojë. Pra, pasi bënë sikur ishin të revoltuar me Diellën dhe Nikon, sot këtij të fundit do i luten: më vendos këtë deputet në komision e atë deputet në një komision tjetër. Na jep një zyrë këtu e një zyrë aty. Na fut në punë këtë e hiq atë. Ndërkohë shqiptarët nuk morën vesh asgjë nga program I qeverisë, nëse do të rritet pensioni, rroga, a do ketë më shumë investime pasi ata që duhet të tregonin se janë ndryshe nga ata që i akuzojnë se shkelin ligjin, vetë flakin Kushtetutën dhe rregulloren duke treguar zero respekt Kushtetutën e vendit.

Në mes të gjithë kësaj situate absurde të një opozite të ndryshkur në ide dhe me zero respekt për Kushtetutën, mësova një informacion pozitiv: Në mbledhjen e grupit të PD pas seancës së të enjtes, 70-80% e deputetëve kishin qenë kundër sjelljes së kolegëve të tyre që hidhnin kushtetutën si rreckë para ambasadorëve e që i hoqën mundësinë e pakët për të sulmuar Ramën në prezencën e tij. Të vetmit që mbështesnin atë që ndodhi më thonë se ishte, kryetari i PD, Sekretari i Përgjithshëm dhe Kryetari i Grupit të PD.

Zero surprizë për këtë fakt. Të tre ata që pëlqyen dhe shkaktuan atë skenë të enjten e kaluar kërkojnë rrëmujë në mënyrë që të shmangin llogaridhënien e të ruajn statuskuonë.

1-Kryetari i Partisë Demomratike kërkon vetëm rrëmujë që të mos i kujtojnë “Nenin Basha”.

2-Sekretari i Përgjithshëm, i falet në gjunjë kryetarit të partisë, vetëm që të qëndrojë numri dy i partisë e të mos lejojë njeri të sulmojnë ata që mbron ai.

3- Kryetari i Grupit kërkon amulli që të merren të gjithë me zhurmat kot dhe të mos përmend njeri se drejton grupin një njeri që sdrejtonte dot as ekipin në fushatë.

Me pak fjalë nuk iu intereson se qytetarët nuk morën vesh se cfarë kishte programi, por u intereson amullia që të ruhet statuskuoja. Të tre e dinë shumë mirë se në një politikë normale analiza do bëhet te rezultatet ndaj i qëndrojnë larg.

Më e keqja është se në këtë budallallëk janë edhe arrogantë. Pasi shpërdoruan mundësinë për të demaskuar qeverinë e re, bëjnë një mbledhje në seli dhe dalin me vendim politik: I lutemi Niko Peleshit ta ripërsërisë edhe një herë atë seancë. Si intereson fare se dalin qesharakë. Bëjnë vetëm autogola.

Përballë një mazhorance kaq të madhe dhe në mandatin e 4, duhet një opozitë e ndershme, një opozitë me ide dhe alternativa në mënyrë që ta kontrollojë, jo një opozitë që ka kryetar një njeri që as një kredi nuk merr dot e jo më të qeverisë vendin.

Top Channel