Administrata Trump shënjestron gjyqtarin që dënoi Bolsonaron, vendos sanksione për gruan e tij dhe kompaninë e saj

22/09/2025 22:31

Shtetet e Bashkuara kanë vendosur sanksione ndaj gruas së gjyqtarit të Gjykatës Supreme braziliane, Alexandre de Moraes, i cili kryesoi gjyqin që çoi në dënimin e ish-presidentit të ekstremit të djathtë të vendit, Jair Bolsonaro, një çështje që ka rritur tensionet midis Uashingtonit dhe Brazilias.

Për muaj të tërë, Presidenti i SHBA-së Donald Trump dhe administrata e tij kanë ushtruar presion mbi autoritetet gjyqësore braziliane, duke i akuzuar ato për ndjekje penale të padrejtë të ish-presidentit dhe aleatit të Trump.

Gjyqtari de Moraes është objektivi kryesor i sanksioneve, pasi Uashingtoni e akuzon atë për “orkestrimin e një gjuetie shtrigash”. Elon Musk, një aleat i ngushtë i Trump pavarësisht mosmarrëveshjeve të tyre, madje e krahasoi gjyqtarin me Voldemortin, rivalin e ligë të Harry Potter.

Sanksionet e reja të shpallura nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së synojnë gruan e gjyqtarit, Viviane Barsi de Moraes, si dhe një kompani të lidhur me familjen e saj. Ato kanë të bëjnë me ngrirjen e të gjitha aseteve të saj në SHBA, ndërsa kompanitë amerikane dhe qytetarët amerikanë gjithashtu ndalohen të punojnë me të, nën kërcënimin e sanksioneve.

Sekretari i Thesarit Scott Bessent paralajmëroi se departamenti i tij do të vazhdojë të shënjestrojë “individët që ofrojnë mbështetje materiale për De Moraes”, i cili po shkel “të drejtat e njeriut”.

Më 11 shtator, Gjykata Supreme e Brazilit e dënoi Bolsonaron me 27 vjet burg pasi e shpalli fajtor për komplot për të mbetur në pushtet pas humbjes së tij zgjedhore nga presidenti aktual, Luiz Inacio Lula da Silva në vitin 2022.

Top Channel