
Në New York ka nisur Asambleja e Përgjithshme e 80 vjetorit të Themelimit të Kombeve të Bashkuara, ku po marrin pjesë Presidenti i Republikës Bajram Begaj, si dhe Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali.
Ministrja Spiropali shkruan në rrjetet sociale se “Shqipëria qëndron më e qartë dhe më e vendosur se kurrë në krah të vlerave që prodhojnë siguri, zhvillim e integrim”.
Spiropali u takua me ministrin e jashtëm të Estonisë, Margus Tsahkna, me të cilin folën mbi situatën pas shkeljes së hapësirës ajrore të Estonisë nga katë avionë luftarakë rusë, si dhe me Presidentin e Malit të Zi Jakov Milatović, i cili i përcolli Ministres Spiropali urimet e tij për marrjen e detyrës së re si drejtuese e MEPJ.
Mëngjesin e së hënës, Spiropali iu bashkua tryezës së Ministrave të Jashtëm të nismë Adriatiko-Joniane, i pari në Nju Jork nën Presidencën e Maqedonisë së Veriut.
Në takim, Spiropali theksoi angazhimin për bashkëpunim rajonal dhe për një të ardhme evropiane të përbashkët të rajonit Adriatiko-Jonian.
Rreth orës 13.15, Spiropali pritet të mbajë një fjalë në selinë e OKB për “promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut”.
Top Channel