Vajza e 10-ave në Berat/ 18-vjeçarja Vojsava Çilaj do të studiojë për mjekësi: Nuk iki, firmosa të qëndroj këtu

21/09/2025 19:58

Vojsava Çilaj është vajzave e 10-ve që do bëhet mjeke. E lindur në fshatin Vodëz të Beratit, ajo nuk e kufizoi veten në mundësitë e zonës, por me ambicien për të mësuar më shumë, fitoi bursën për studimet e gjimnazit, të cilat i përfundoi me rezultatet maksimale në provimet e maturës.

“Në të katërt provimet e maturës, jam vlerësuar me notën 10. Madje në letërsi nga 27 mijë maturantë vetëm 29 arritëm të merrnin 10 absolute. Ishte përtej parashikimit në fakt. Doja shumë të kisha rezultate të larta, madje aspiroja të merrja të paktën 1 provim 10.00 që të fitoja medaljen e arit, por deshi që të merrja 3!”, tha Vojsava Çilaj- studente e mjekësisë.

18-vjeçarja që shkëlqeu në maturën shtetërore tregon për Top Channel dosjen e saj të pasur në arsimin parauniversitar me shumë medalje e certifikata; dhe se si vizioni i saj në fëmijëri për mjekësinë po merr formë tani me përzgjedhjen për në universitet.

“Që fëmijë mua më ka pëlqyer pafund fusha e mjekësisë dhe mendoj që është një profesion që nuk kërkon vetëm pjesën akademike por edhe pjesën njerëzore. Prandaj mendoj që empatia për të ndihmuar të tjerët, të përpiqesh ta ndihmosh dikë në momentet më të vështira siç është shëndeti nuk besoj se ka gjë më të bukur që mund të arrish në jetë. Dua të jem një shembull sa më i mirë i zbatimit të atyre pikave të Hipokratit”.

Orët e gjata mbi libra i janë shpërblyer me notat më të mira në të gjitha lëndët, që i kanë hapur edhe shumë dyer të arsimit të lartë në institucionet më prestigjioze, por Vojsava ka zgjedhur Shqipërinë.

“Unë kam pasur mundësitë të studioj jashtë, por kam firmosur deklaratën që kërkon që pas studimeve 6-vjeçare të mjekësisë të përgjithshme të punosh tre vite punë të detyruar në Shqipëri dhe me vetëdije e kam nënshkruar sepse dua ta ushtroj mjekësinë në vendin tim dhe për njerëzit e këtij vendi!”

Me madhështinë e një vajze plot dije, por me thjeshtësinë e një nxënëseje të përhershme, ajo ka një këshillë për bashkëmoshatarët:

“Do ju thoja që të dalin nga zona e tyre e rehatisë, të aspirojnë sa më shumë dhe të punojnë sa më shumë për të realizuar çdo ëndërr të tyre!

Top Channel