Masa drakoniane në funeralin e Kirkut, FBI dhe qindra oficerë policie në stadiumin e Arizonës, mbi 100,000 qytetarë do të marrin pjesë

21/09/2025 14:09

Me masa sigurie të ngjashme me ato të Super Bowl, qeveria federale ka caktuar një shërbim përkujtimor për aktivistin e vrarë konservator Charlie Kirk, i cili pritet të tërheqë më shumë se 100,000 njerëz të dielën në stadiumin State Farm në Glendale, Arizona, si një “ngjarje me rëndësi kombëtare”.

Departamenti i Sigurisë Kombëtare i SHBA-së tha se ceremonisë, e titulluar “Ndërtimi i një Trashëgimie: Duke Kujtuar Charlie Kirk”, i është dhënë një përcaktim “Ngjarje Speciale e Nivelit 1”, një përcaktim i rezervuar për ngjarje me rëndësi shumë të lartë kombëtare dhe që kërkon përfshirje të plotë federale për të mbrojtur pjesëmarrësit.

Agjencitë e sigurisë kanë marrë tashmë “kërcënime të shumta” përpara përkujtimores, në të cilën do të marrin pjesë zyrtarë të lartë, përfshirë zëvendëspresidentin J.D. Vance.

“Ekstremistët e dhunshëm ose autorët e vetëm mund ta gjejnë ngjarjen një objektiv tërheqës, duke pasur parasysh praninë e zyrtarëve të lartë qeveritarë dhe publicitetin ndërkombëtar”, thuhej në një memo të brendshme nga autoritetet.

Shqetësimet u shtuan pasi një burrë i armatosur u arrestua të premten me akuzën e imitimit të oficerit të policisë dhe mbajtjes së armës në një zonë të kufizuar jashtë stadiumit. Incidenti ndodhi përpara se të vendoseshin masa të rrepta sigurie.

Më shumë se 100,000 njerëz pritet të marrin pjesë në ceremoni, e cila do të fillojë në orën 11:00 (ora lokale) dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në rrjetet kryesore televizive.

Presidenti Donald Trump dhe e veja e Kirk, Erica, do të mbajnë fjalime lamtumire, ndërsa do të jenë të pranishëm Shefja e Shtabit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, Sekretari i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, Robert Kennedy Jr., Drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare, Tulsi Gabbard, dhe figura publike si Donald Trump Jr. dhe Tucker Carlson.

E veja e Kirkut, Erica, pritet të jetë një nga folëset kryesore në shërbimin përkujtimor.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Caroline Levitt, tha se “dy aeroplanë zyrtarë të administratës Trump” do të udhëtojnë për në Arizona për ceremoninë, duke nënvizuar ndikimin e gjerë të Kirk.

Eventi do të përfshijë muzikë nga artistë të njohur të krishterë, përfshirë Chris Tomlin, Brandon Lake, Phil Wickham, Curry Jobe Karnes dhe Cody Karnes, si dhe Lee Greenwood dhe Steve Amerson.

Forcat e sigurisë kanë vendosur qindra oficerë, përfshirë Shërbimin Sekret, policinë lokale, FBI-në dhe Byronë e Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve.

“Është një vendosje e plotë e forcës”, tha Jose Santiago , një zëdhënës i Departamentit të Policisë së Glendale. Masat përfshijnë detektorë metalesh, ndalim të çantave, mbikëqyrje ajrore dhe sisteme sigurie të padukshme.

Charlie Kirk, 31 vjeç, baba i dy fëmijëve dhe themelues i Turning Point USA, u qëllua për vdekje më 10 shtator gjatë një eventi në Universitetin e Utah-ut. I dyshuari, Tyler Robinson, 22 vjeç, po mbahet në paraburgim pa lirim me kusht nën akuzat për vrasje të shkallës së parë.

Hyrja në event është falas sipas parimit “Kush vjen i pari, merr pjesë”, megjithëse pjesëmarrësve iu kërkua të regjistrohen në Turning Point USA. Pjesëmarrja pritet të kalojë kapacitetin e stadiumit me 73,000 vende, me mijëra që do të shkojnë në Desert Diamond Arena ngjitur. Autoritetet presin që njerëzit e parë të mbërrijnë në orët e para të mëngjesit dhe po i këshillojnë të gjithë të tregojnë kujdes të madh.

Top Channel