Dyfishohet turizmi kulturor në Vlorë/ Rritet ndjeshëm numri i vizitorëve në sitet arkeologjike dhe monumentet e kulturës

21/09/2025 12:15

Kalaja e Porto Palermos, parku arkeologjik i Amantias dhe Kalaja e Kaninës kanë qenë atraksionet e zgjedhura nga vendas dhe të huaj përgjatë kësaj vere, përveç plazheve të bukura që ofron bregdeti i Vlorës.

Numri i vizitorëve që zgjodhën turizmin kulturor është dyfishuar në krahasim me një vit më parë.

“Janë regjistruar rreth 44 mijë vizitorë, 13212 me shume se viti i kaluar, ndërsa në gjashtë site arkeologjike janë ndërmarrë ndërhyrje për mirëmbajtjen e tyre“-shprehet Orges Ferimi, drejtor i DRKK Vlorë.

Në qendër të vëmendjes së autoriteteve mbetet parku arkeologjik i Amantias, ndërkohë që në proces janë edhe punimet për restaurimin e Kalasë së Kaninës, ku parashikohet ndërtimi i një amfiteatri brenda mureve të saj, si edhe përmirësimi i infrastrukturës për vizitorët.

Me fokus tek turizmi kulturor është miratuar projekti për rikonstruksionin e xhamisë së qytetit të Vlorës, ndërsa së shpejti do të nisin ndërhyrjet në Shpellën e Spilesë dhe në Kalanë e Borshit.

Përfundimi i këtyre ndërhyrjeve synon jo vetëm ruajtjen e trashëgimisë kulturore, por edhe përmirësimin e shërbimeve për vizitorët, gjë që pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e mëtejshme të turizmit kulturor.

Top Channel