
“S’do ndërhyjmë asnjëherë te çështjet e Drejtësisë”, ishte zotimi i kryeministrit Edi Rama në fjalën e tij gjatë prezantimit të ministrit të ri të Drejtësisë, Besfort Lamallarit.
Ai tha se pushteti ekzekutiv, nuk ka arsye të ndërhyjë, sidomos kur drejtësia nuk e ka thënë deri në fund fjalën e saj.
“Ne nuk kemi hyrë për asnjë rast dhe në asnjë rast në përmbajtjen e një çështjeve me të cilën është marrë drejtësia dhe nuk duam ta bëjmë këtë dhe nuk do ta bëjmë. Aq më tepër në rastet kur drejtësia nuk e ka thënë deri në fund fjalën e vetë”.
Jo vetëm si kusht drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, por drejtësia e pavarur është nevojë “për të mos u kthyer pas, por për të ecur drejt së ardhmes”, tha kreu i qeverisë.
“Unë besoj se kjo rikujtesë është shumë e rëndësishme për të gjithë ju, edhe për pjesën e drejtimit politik të Ministrisë, por edhe për pjesën e shërbimit civil se ky është një mision i madh kombëtar që do të bëjë në fund fare edhe diferencën, a do të jetë Shqipëria vend anëtar i BE me një drejtësi të pavarur, të garantuar njëherë e mirë apo do të bjerë në tundimin e kthimit pas duke vënë në rrezik edhe vetë anëtarësimin. Këtu nuk është çështje që nuk duhet ta lejojmë për shkak të BE, por për shkak të ardhmërisë sonë, sepse largimi i duarve të pushtetit ekzekutiv nga çdo proces gjykimi, nga çdo proces seleksionimi, shkarkimi i prokurorëve apo gjykatësve, është një premisë e domosdoshme për të garantuar një drejtësi funksionale të pavarur për të ardhmen e vendit tonë. Jo për Brukselin, as për Berlinin apo Parisin. Por ai objektiv nuk e ka rastësisht domosdoshmërinë e një drejtësie të pavarur, sepse aty bëhet dallimi mes një hapësire me lire dhe një hapësire ku liritë dhe të drejtat janë relative dhe varen nga rrethana jashtë frymës së ligjit”.
Top Channel