Rama publikon video nga largimi i varrezave të makinave: Vatra ndotjeje që do t’ia lenë vendin gjelbërimit

20/09/2025 14:23

Kryeministri Edi Rama, përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, njoftoi se Agjencisë së Aseteve të Sekuestruara ka nisur punën për ‘zhdukjen’ e varrezave të makinave në qytetet e vendit.

Rama thotë se hapësirat ku ndodheshin makinat e vjetra, do t’i kthehen komunitetit, ndërsa automjetet ende të përdorshme do t’i kalojnë institucioneve shtetërore.

“Më në fund, falë angazhimit të Agjencisë së Aseteve të Sekuestruara, i erdhi fundi edhe varrezave të ‘provave’ që e nxinë jetën dhe nuk kishte zot që i shkulte nga kthetrat e burokracisë, duke grumbulluar për 30 e kusur vite në çdo bashki qendër qarku të Shqipërisë sasi të frikshme teneqerash e ndryshqesh; vatra ndotjeje të madhe që do t’ia lenë vendin gjelbërimit a projekteve të dobishme për komunitetin, ndërkohë që automjetet ende të përdorshme do t’i kalojnë institucioneve shtetërore“, shkruan Rama.

Tri javë më parë, gjatë një takimi për reformën në Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve përmes një pakete të dedikuar ndërhyrjesh ligjore dhe investimesh, Kryeministri Edi Rama tha se do të largohen të gjitha varrezat e makinave në territorin tonë.

“Jemi në një situatë tërësisht primitive në raport me ndarjen në burim të mbetjeve në raport me përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesve, ku përfshihen ambalazhet plastike, letrat, qelqi, pajisjet elektrike, elektronike, bateritë, automjetet në fund të jetës. Jemi i vetmi vend në Europë që varrezat e makinave i kemi të ligjëruara pa ligj, por me vullnetin e Maliqit në territor si fakte të kryera dhe ky do të jetë një operacion që sapo ka nisur dhe do të vazhdojë për shkuljen e të gjithë këtyre varrezave”, tha Rama.

Top Channel