
Stafeta e drejtimit të Ministrisë së Drejtësisë kalon nga Ulsi Manja te Besfort Lamallari.
Gjatë prezantimit të ministrit të ri para punonjësve të këtij institucioni, kryeministri Edi Rama vlerësoi punën e Manjës, por nuk kurseu kritikat.
“Ministri i ri i Drejtësisë e ka nisur rrugëtimin me studime brenda dhe jashtë vendit dhe më pas ka ngjitur shkallët një e nga një, me një angazhim dhe përkushtim shembullor në çdo detyrë që i është besuar. Uroj dhe besoj që me mbështetjen e ekipit të kësaj ministrie dhe në ndërveprim me të gjithë punonjësit e institucioneve të varësisë, do t’ia dalë të çojë para një punë të nisur prej vitesh e të vazhduar nga Ulsi Manja. Natyrisht që në kushtet kur ne kemi marrë përsipër një transformim epokal të marrëdhënies të pushtetit ekzekutiv me gjyqësorin, roli i ministrit të Drejtësisë ka ndryshuar dhe sfidat e Ministrisë së Drejtësisë janë ridimensionuar, por kjo nuk nënkupton që rëndësia e Ministrisë së Drejtësisë është zvogëluar.
Po ndaj me ju edhe një fakt të paditur për mua dhe që e mora vesh shumë vonë që gjithsesi drejtimi i ministrisë së Drejtësisë ka mbetur në Dibër”, tha Rama.
Top Channel