“Ministria t’i japë formë përfundimtare Kodit Penal”, Rama: S’është e thjeshtë të lindë krijesa e një drejtësie të pavarur në një shtrat të ndotur

20/09/2025 12:00

Fjalën e tij gjatë prezantimit të ministrit të ri të ri të Drejtësisë, Besfort Lamallarit, kryeministri Edi Rama e fokusoi te reforma në drejtësi dhe nevoja për të konsoliduar drejtësinë e pavarur.

Nuk është e thjeshtë të lindë dhe të rritet krijesa e një drejtësie të pavarur në një shtrat të përgjakur dhe të ndotur prej 100 e kusur vitesh, tha Rama, duke marrë meritat “për garantimin e drejtësisë” gjatë qeverisjes socialiste.

“Për shkak të detyrës, ju i shihni nga afër zhvillimet e këtij procesi pavarësie dhe vështirësitë që materializohen edhe në dhimbje të mëdha, si rezultat i shkeljes së lirive, të të drejtave, i shkeljes së frymës dhe të gërmës së Kushtetutës, në një proces lindjeje të vështirë. Sepse nuk është e thjeshtë të lindë dhe të rritet krijesa e një drejtësie të pavarur në një shtrat të përgjakur dhe të ndotur prej 100 e kusur vitesh, të një drejtësie që nuk ka qenë kurrë, as e lirë, as e pavarur, as e paanshme por ka qenë gjithmonë mashë e interesave të pushtetit politik. Por, ne e kemi bërë zgjedhjen tonë dhe nuk ndryshojmë në këtë pikë dhe jemi të detyruar që këto lloj dhimbjesh që ndryshe nga ju, na bie t’i jetojmë edhe si pjesë të qenies sonë politike, qoftë kur dikush nga ne mëkaton për përfitime të paligjshme, qoftë kur mëkaton drejtësia e pavarur, duke përdorur jo proporcionalisht forcën. Ne nuk kemi rrugë tjetër”.

Rama u ndal edhe te Kodi i ri Penal, drafti i të cilit u kritikua nga ekspertët dhe opinioni publik dhe tha se Ministrinë e Drejtësisë e pret puna e vështirë për të hartuar versionin përfundimtar.

“Duhet të përmirësojmë standardet, gjë që materializohet në punën e madhe që e pret Ministrisë së Drejtësisë për t’i dhënë formën përfundimtare versionit zyrtar që qeveria do të çojë në parlament për Kodin Penal, Kodin Civil dhe Kodin e Procedurës. Janë libra themeltar të një sistemi drejtësie që i ka ardhur koha të rishikohen me themel. Dua ta çmoj punën e ministrit në aspektin e koordinimit të këtij procesi dhe garantimin e një hapësire, ku qeveria është njëra nga shumë palët, ndërkohë që shkruesit e draftit të kodit janë profesorë dhe ekspertë të nderuar”.

Top Channel