
Evis Sala foli për herë të parë si ministre e re e shëndetësisë në prezantimin e saj përkrah kryeministrit Edi Rama.
Ministrja e re tha se prioriteti i saj i parë është rimbursimi i barnave onkologjike siç i takon një shteti që pret të futet në BE. Sala shtoi se një tjetër sektor ku do të tregohet vëmendje e veçantë është transformimi i shërbimit parësor në spitalet shtetërore.
Së fundmi ministrja e sapo emëruar theksoi se mjekësia duhet dixhitalizuar për inkuadrimin sa më efikas të inteligjencës artificiale si dhe shtoi se vëmendje do ti kushtohet edhe mbylljes së “rubinetit” të rrjedhjes së mjekëve të rinj duke thënë se ata do të mbahen në Shqipëri sepse i duhen mjekësisë shqiptare.
“Për mua sot është ditë shumë emocionuese. Rikthehem në një vend ku kam studiuar. Kur erdha në mëngjes u surprizova për mirë dhe duke parë ndryshimet i thashë vetes është më mirë se në shumë vende ku kam punuar. Është një sfidë e madhe por ata që më njohin e dinë që i pëlqej sfidat. Megjithatë sfidat i kam përballuar gjithnjë me ekip, kur është ekipi i mirë edhe puna e shefit është e mirë.
Ajo ku unë do e fokusoj punën time është, mendoj që është shumë e rëndësishme rimbursimi i barnave onkologjike, është e papranueshme për ne si vend europian. Mendoj që përputhet dhe me vizionin e kryeministrit. Kyç është dhe riorganizimi i shërbimit diagnostik, nuk mundet që një spital të mbingarkohet nga pacientë që mund të diagnostikohen në pak minuta.
Shqiptarët janë kreativ, prandaj nuk ka pse të mos përdorim burimet që kemi. Edhe digjitalizimi është i interes i madh për mua sepse duhet për futjen e inteligjencës artificiale që ndihmon në mbarëvajtjen e shëndetësisë. Do krijohen disa ekipe që patjetër duhen në spitalet shtetërore, nuk është se nuk kanë aftësi mjekër dhe nëse nuk kanë aftësi do ti trajnojmë.
Gjithashtu do mbyllim rrjedhjen e mjekëve të rinj. Universiteti jonë i mjekësisë nxjerr mjekë shumë të mirë dhe nuk ka arsye pse mjekët tanë të rinj që i kanë kaluar hapat këtu të shkojnë e të punojnë jashtë”, u shpreh ministrja Sala.
Top Channel