
Kryetari i Dhomës së Komunave, Sir Lindsay Hoyle, ka ngritur alarmin pas vendimit për të hequr akuzat ndaj dy personave të dyshuar për spiunazh në favor të Kinës.
Ai paralajmëron se kjo mund të konsiderohet si një “licencë për të spiunuar” brenda parlamentit britanik.
Sir Lindsay Hoyle po shqyrton mundësinë e nisjes së një padie private kundër dy burrave që ishin akuzuar për mbledhje informacioni në dëm të sigurisë kombëtare. Ai i ka shkruar Ministres së Brendshme, Shabana Mahmood, duke kërkuar masa të menjëhershme për të mbrojtur parlamentin nga ndërhyrjet e huaja.
“Ky vendim i hap dyert aktorëve të huaj për të spiunuar brenda parlamentit. Këto dyer duhet të mbyllen fort. Do të ndjekim çdo rrugë për të mbrojtur deputetët dhe stafin. Nuk do të tolerohet,” tha Hoyle për The Times.
Christopher Berry dhe Chris Cash, ish-këshilltari parlamentar dhe drejtor i grupit të deputetëve që analizojnë politikat e Kinës, u arrestuan në prill nën akuzat për shkelje të Aktit për Sekretin Zyrtar. Sipas The Times, ata dyshoheshin për ndarjen e informacionit me një “armike”, në këtë rast, Kinën.
Por në gjykatën e Old Bailey, prokurorët tërhoqën çështjen, duke deklaruar se provat nuk përmbushnin standardin e kërkuar për gjykim.
Megjithëse akuzat u hodhën poshtë, Prokuroria ka pranuar se Parlamenti Britanik ka qenë objektiv i qartë i shërbimeve sekrete kineze.
“Grupi juaj i punës ka qenë në shënjestër të Kinës si mënyrë për të marrë informacion mbi qëndrimet e qeverisë britanike ndaj Kinës,” shkroi Frank Ferguson, kreu i krimeve të rënda dhe kundër-terrorizmit në Prokurorinë e Mbretërisë.
Shumë figura politike, përfshirë kryeministrin e Britanisë, Sir Keir Starmer dhe ministren Mahmood, janë shprehur të zhgënjyer nga vendimi. Deputetja Alicia Kearns, e cila kishte punësuar Cash si këshilltar, tha se “qeveria ka për detyrë të japë përgjigje”.
Ish-kreu i Partisë Konservatore, Sir Iain Duncan Smith, tha se është “shumë e mundshme” që agjentë kinezë të jenë ende aktivë brenda parlamentit.
“Jemi në një realitet të rrezikshëm. Kina, Rusia, Irani dhe Koreja e Veriut janë të koordinuar. Këtu, ndërkohë, mendojmë se gjithçka është në rregull. Jemi në mohim total,” tha ai për Times Radio.
Rasti është vetëm një shembull tjetër i paralajmërimeve të shërbimeve britanike për rrezikun nga ndikimi i Kinës në politikën britanike.
Në vitin 2022, MI5 publikoi një paralajmërim të rrallë ku emëronte avokaten Christine Lee si agjente të infiltruar në parlament në emër të Partisë Komuniste Kineze. Ajo kishte dhuruar shuma të mëdha për politikanë britanikë, përfshirë deputetin Barry Gardiner.
Drejtori i MI5, Ken McCallum, ka paralajmëruar shpesh se Kina po synon individë në politikë, ushtri, kërkime shkencore dhe tregti të ndjeshme.
Ligji i ri për Sigurinë Kombëtare, i miratuar në 2023, ka hequr termat e vjetruar si “armike”, të cilët sipas shumë ekspertëve pengonin ndjekjen penale efektive të spiunëve të huaj. Kjo mund të hapë rrugën për hetime të reja në të ardhmen.
Top Channel