“Tritoli i mafies politike, nuk na ndal”/ Iu vu eksploziv në shtëpi, reagon Mziu: Mesazh i errët politik, mendojnë se do ma mbyllin gojën

19/09/2025 21:45

“Tritoli i mafies politike, nuk na ndal”, thotë ish-kryebashkiaku i Kamzës, sot deputet, Xhelal Mziu, në reagim e shpërndarë në rrjetet e tij sociale për tritolin që shpërtheu këtë mëngjes në shtëpinë e tij.

“Ky nuk është thjesht sulm ndaj meje, por një mesazh politik i errët”, shkruan Mziu.
“Tritoli i mafies politike, nuk na ndal!
Sot u vendos tritol në shtëpinë time.
Ky nuk është thjesht sulm ndaj meje, por një mesazh politik i errët, një akt frike e mafies së pushtetit ndaj fjalës së lirë.
Ata mendojnë se me tritol do të na mbyllin gojën, por gabojnë rëndë!
Ne nuk trembemi, nuk tërhiqemi, përkundrazi – ky krim na forcon edhe më shumë në betejën për të vërtetën dhe drejtësinë.
Opozita dhe Shqipëria nuk do të gjunjëzohet përballë krimit dhe korrupsionit!”

Lënda eksplozive e dyshuar artizanale më pak se 100 gram ishte vendosur në rrethimin e jashtëm të banesës së ish-kryebashkiakut të Kamzës sot deputet Xhelal Mziu. Nga shpërthimi pati dëme të vogla materiale të rrethimit si dhe të dy makinave të parkuara aty pranë.

Menjëherë në vendngjarje shkoi policia e cila fiksoi çdo prove materiale si edhe sekuestroi pamjet e kamerave të sigurisë. Ngjarja do të hetohet nga SPAK, pasi Xhelal Mziu është deputet.

Top Channel