
Dy avionët italianë F-35 që interceptuan MiG-ët rusë në Estoni u ngritën nga Baza Ajrore e Amari-t pasi sistemet e radarëve të NATO-s zbuluan praninë e avionëve rusë, sipas Corriere della Serra.
Pasi avionët italianë F-35, të cilët u ngritën në modalitetin e alarmit të reagimit të shpejtë, fluturuan mbi avionët rusë, ata u tërhoqën, thonë mediat italiane.
Një F-35 italiane është vendosur në Estoni për të siguruar mbikëqyrjen e hapësirës ajrore të Balltikut si pjesë e aktiviteteve të patrullimit ajror të NATO-s në krahun lindor.
Ndërkohë, sipas autoriteteve polake, dy avionë luftarakë rusë kanë shkelur zonën e sigurisë rreth platformës së shpimit Petrobaltic në Detin Baltik.
Në një reagim, Lituania paralajmëroi se nevojitet mbrojtje e re ajrore për t’iu kundërvënë provokimeve ruse.
“Rusia kërcënon drejtpërdrejt sigurinë euroatlantike dhe vë në provë kufijtë e NATO-s. Sot, tre avionë luftarakë rusë shkelën hapësirën ajrore estoneze. Këto provokime do të intensifikohen derisa Aleanca ta transformojë plotësisht patrullën e saj ajrore baltike në një sistem mbrojtjeje ajrore, modelet e mbrojtjes ajrore me rotacion të bëhen realitet dhe Eastern Sentinel të jetë operacional 24/7“, shkroi këtë pasdite në profilin e tij në Facebook Ministri i Jashtëm lituanez Kestutis Budrys.
“Këto nuk janë aksidente. Aleanca po testohet ushtarakisht. Ne duhet ta mprehim qëndrimin e NATO-s deri në atë pikë sa askush të mos guxojë të testojë aftësinë tonë parandaluese”, shtoi Budrys.
Për incidentin e rëndë, reagoi edhe Kievi, që tha se avionët rusë në Estoni përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë e NATO-s.
“Inkursioni i sotëm i tre avionëve luftarakë rusë në hapësirën ajrore estoneze përfaqëson një përshkallëzim të mëtejshëm rus dhe një kërcënim të drejtpërdrejtë për sigurinë transatlantike”, tha Ministri i Jashtëm ukrainas Andrii Sybiha, siç raportohet nga “The Guardian”.
“Ukraina qëndron përkrah Estonisë përballë kërcënimit të pamatur të Rusisë. Pajtohem me mikun tim estonez Margus Tsahkna se masat gjysmake nuk janë më të mjaftueshme. Rusia përballet me një presion të madh politik dhe ekonomik. Derisa të marrë një përgjigje vërtet të fuqishme, Moska do të bëhet vetëm më arrogante dhe agresive. Është koha t’i japim fund ndjenjës së pandëshkueshmërisë së Putinit”, tha ai.
Top Channel