
Qeveria e Talibanëve në Afganistan ka ndaluar përdorimin e librave të shkruar nga gra në sistemin universitar, si pjesë e një vendimi të ri që përfshin gjithashtu ndalimin e mësimdhënies për disa lëndë, përfshirë të drejtat e njeriut dhe ngacmimin seksual.
Në total, janë identifikuar rreth 680 libra që, sipas autoriteteve talibane, bien ndesh me “parimet e Sheriatit” dhe me politikat e tyre. Ndër këto, 140 tituj janë shkruar nga autore gra, përfshirë edhe libra të fushave shkencore si “Siguria në Laboratorin Kimik”.
Vendimi është goditja më e fundit ndaj arsimit të grave dhe vajzave në vend. Ato janë aktualisht të ndaluara të ndjekin shkollën përtej klasës së gjashtë, ndërsa në fund të vitit 2024 u mbyllën edhe kurset e mamisë, që ishin ndër të fundit forma të trajnimit profesional për vajzat.
Tashmë, edhe lëndët që lidhen me rolin e gruas në shoqëri janë zyrtarisht të ndaluara. Nga 18 lëndë të ndaluara në total, 6 lidhen direkt me gratë, si “Gjinia dhe Zhvillimi”, “Roli i Grave në Komunikim” dhe “Sociologjia e Gruas”.
Sipas dokumenteve të siguruara nga BBC Afghan, në listën e ndaluar prej 50 faqesh figurojnë 310 libra të autorëve iranianë ose të botuar në Iran. Anëtarë të komitetit të rishikimit të librave kanë konfirmuar se ndalimi synon të “parandalojë ndikimin e përmbajtjeve iraniane në programet universitare të Afganistanit”.
Marrëdhëniet mes dy vendeve kanë qenë të tensionuara, veçanërisht për çështje si uji dhe emigracioni. Që nga janari 2025, më shumë se 1.5 milion afganë janë dëbuar nga Irani.
Disa profesorë afganë shprehen të shqetësuar për pasojat, duke thënë se do të jetë e vështirë të zëvendësohen materialet që tashmë janë hequr nga qarkullimi.
Një anëtare e komitetit të kontrollit të librave konfirmoi për BBC-në se të gjitha librat e shkruar nga gra janë ndaluar. Zakia Adeli, ish-zv.ministre e Drejtësisë dhe një prej autoreve të prekura, tha se nuk ishte e habitur nga ky vendim.
“Kur gratë nuk lejohen të studiojnë, është e natyrshme që edhe zërat e tyre përmes librave të heshten,” tha ajo.
Top Channel