
Autoriteti i Mediave Audiovizive ka qenë pritësi dhe organizatori i Forumit të 12-të të Rrjetit të Rregullatorëve të vendeve të Detit të Zi, BRAF.
Përgjatë dy ditëve, përfaqësues nga 9 vende anëtare të BRAF kanë diskutuar mbi një temë të mprehtë për nga problematika që paraqet në këto kohë zhvillimi teknologjik, siç është Gjuha e Urrejtjes në transmetimet audiovizive dhe platformat online.
Kanë qenë të pranishëm në këtë forum edhe përfaqësues të lartë të Organizatës së Bashkëpunimit Ekonomik të Detit të Zi, BSEC. Zv.Sekretarja e Parë e Përgjithshme e Sekretariatit të Përhershëm të kësaj organizate, Shkëlqesia e Saj, Amb. Dr. Merve Safa Kavakcı, në fjalën e saj përshëndetëse ka theksuar qëndrueshmërinë e BSEC për projekte të rëndësishme, si Agjenda Ekonomike, “Blue Port Index” dhe sistemi digjital PERMIT. “Bashkëpunimi me BE-në dhe projekti “Blueing the Black Sea” synojnë të nxisin zhvillimin, inovacionin mjedisor dhe qëndrueshmërinë rajonale”, ka thënë ajo.
Ndërsa kryetarja e AMA-s, Armela Krasniqi, ka theksuar rëndësinë e luftës kundër Gjuhës së Urrejtjes, në të gjitha format e shfaqjes së saj, por edhe rëndësinë që kanë forume të tilla për shkëmbimin e eksperiencave më të mira mes vendeve.
“Sfidat me të cilat përballet ky sektor janë globale, pavarësisht përvijimeve lokale, ka thënë ajo. Ndaj e gjykoj shumë të rëndësishëm bashkëpunimin, shkëmbimin e eksperiencave, si dhe ndërveprimin e përhershëm dhe të vazhdueshëm mes rregullatorëve. Shqipëria ka bërë përparim të jashtëzakonshëm në rregullimin e tregut mediatik audioviziv, dhe ndërkohë që ne vazhdojmë të integrojmë median audiovizive digjitale në sistemet tona rregullatore, arritja e ekuilibrit të duhur midis Lirisë së Shprehjes dhe mbrojtjes nga fenomene si Gjuha e Urrejtjes mbetet ende një sfidë“, u shpreh kryetarja e AMA.
Në panelet e diskutimit të këtij Forumi të 12-të BRAF, përfaqësuesit e rregullatorëve të Azerbajxhanit, Turqisë, Greqisë dhe Gjeorgjisë diskutuan për, “Gjuhën e Urrejtjes dhe Të Drejtën për Informim në median audiovizive”. Trajtimi i rasteve konkrete, eksperiencat e secilit prej vendeve pjesëmarrëse, diskutimi mbi to për zgjidhjet ligjore dhe jo vetëm, theksuan edhe një herë problematikën që paraqet dhe pasojat e Gjuhës së Urrejtjes, në të gjitha format që ajo shfaqet.
Ndërsa përfaqësues të rregullatorëve të Armenisë, Bullgarisë, Moldavisë dhe Serbisë u përqendruan në çështje të ndërgjegjësimit dhe edukimit të publikut dhe perspektivës ndërkombëtare mbi rregullimin e përmbajtjeve online.
Lufta kundër Gjuhës së Urrejtjes është një objektiv i rëndësishëm në përditshmërinë e punës në AMA. Përveç ndryshimeve ligjore të kryera, aktualisht po punohet për transpozimin e akteve të tjera të rëndësishme europiane, siç janë Akti i Lirisë së Medias, EMFA, apo Akti i Shërbimeve Digjitale, DSA. Mbeten gjithashtu prioritet ankesat e publikut, monitorimi dhe analiza e përmbajtjeve audiovizive, si dhe Edukimi Mediatik i Publikut si një investim i rëndësishëm në krijimin e një audience të mirë orientuar.
Top Channel