“Përdornin pëllumba të lidhur me spango te këmba”/ Rama me kritika të forta për disa struktura të Ministrisë së Brendshme: Ca drejtorë që janë për librat e Kafkës

19/09/2025 13:30

Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit në Ministrinë e Brendshme të Albana Koçiut, u ndal në disa nga strukturat e kësaj ministrie që sipas tij kanë pasur dhe kanë ende shumë mangësi dhe problematika.

Rama u ndal te lëshimi i vizave për punë, ku me ironi tha se përdore “pëllumb i lidhur me spango te këmba i nisur nga Kruja për të shkuar në vendet e largëta…”.

“Vizat dhe lejet e qëndrimit të punës. Në këtë pikë jam edhe unë dëshmitar. Kemi bërë një proces të tërë për të lehtësuar lejet e qëndrimit dhe të punës edhe nën presionin pozitiv të sipërmarrjes dhe po ju them që mbasi ne kemi miratuara gjithë procesin dhe kemi shkruar e zeza mbi të bardhë që duhen dhe mjaftojnë 7 ditë për të dhënë një leje qëndrimi dhe pune që të vinte lajmi në këtë Ministri ishte njësoj sikur ai legjislacion të ishte nisur me një pëllumb, me ligjin dhe VKM përkatëse të lidhura me spango te këmba e  pëllumbit që ishte nisur nga Kruja për të shkuar në “Portën e Lartë”.

Dhe ndërkohë ca personazhe të çuditshme shefash e ku di unë në këtë strukturë, vazhdonin vazhdimin me histori zvarritjesh që janë për librat e Franz Kafkës. Një nga shumë shembujt që i kam shumë konkret për të ilustruar që kur them që Ministria e Brendshme jeton në një zonë tjetër orare, nuk është një metaforë”, tha Rama.

 

Top Channel